RMV, deri nesër në ora 09:00 do të mund të bëhet regjistrimi i votuesve nga diaspora

Votuesit e Maqedonisë së Veriut nga diaspora do të mund deri nesër në ora 09:00 të regjistrohen për të shfrytëzuar të drejtën e votës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të problemeve teknike me ueb-faqen ëëë.dijaspora.sec.mk, e cila zgjati nga 17 mars 2024, prej orës 24 deri më 18 mars 2024, në ora 9:00, regjistrimi i votuesve në diasporë vazhdohet për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja, gjegjësisht deri më 19 mars 2024, ora 09:00”, raportoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

Komisioni informoi që deri tani kanë ardhur 2230 aplikime për regjistrimin e votuesve në diasporë.

“1545 janë pranuar, 193 janë refuzuar dhe 492 janë të paproceduara. E cekim që këto të dhëna janë në dispozicion për publikun në ueb faqen ëëë.dijaspora.sec.mk”, njoftoi Komisioni.

Në këtë periudhë janë paraqitur edhe 17 kërkesa për shlyerjen e të dhënave në Listën Zgjedhore, 49 kërkesa për ndryshimin e të dhënave dhe 40 kërkesa për regjistrimin e të dhënave në Listën Zgjedhore. Lista Zgjedhore deri sot në ora 23:59 do të mund të kontrollohet dhe ndryshohet.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve para disa ditësh iu bëri thirrje qytetarëve që për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të bëjnë vetëkontroll dhe nëse është e nevojshme të kërkojnë ndryshimin, futjen ose fshirjen e të dhënave të tyre nga Lista zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.