Qeveria e RMV-së tërhoqi Ligjin që duhet të ndjekë personat e përfshirë në “listën e zezë”, nuk dihet fati i mëtejshëm i tij
Pasi Qeveria dje vendosi të tërheqë nga procedura parlamentare projektligjin për masat kufizuese, mbetet e paqartë nëse i njëjti tekst që do t’i bënte listat e zeza të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe pjesë të rendit të brendshëm juridik, do të kthehet në Kuvend. Shpjegimi zyrtar nga Qeveria është se amendamentet janë tërhequr vetëm për arsye administrative, ndërsa me të njëjtin mendim është edhe MPJ, e cila është propozuese e ligjit, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të zgjedhjes së Qeverisë së re, propozimi për Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për masat kufizuese duhet të konfirmohet edhe njëherë administrativisht në seancën e qeverisë të martën”, është qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Por dilemat se cili do të jetë fati i këtij propozimi të përgatitur nga Bujar Osmani u hapën pasi Talat Xhaferi, katër ditë para se të zgjidhej kryeministër teknik, doli me mendimin se ishte kundër këtyre ndryshimeve, sepse sipas tij, ata ishin kundër Kushtetutës.
“Sinqerisht nuk jam pro që një variant i tillë të futet si zgjidhje ligjore sepse nuk mund të jetë pjesë e sistemit juridik. Duhet të jetë marrëveshje shumëpalëshe e bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe ajo duhet të ratifikohet në mënyrë dypalëshe ose shumëpalëshe dhe kështu të bëhet pjesë e rendit juridik dhe nuk është rastësi që kushtetuta thotë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të anulohen me ligj”, tha Talat Xhaferi – kryeministër i Qeverisë Teknike, me 24 janar.
Kryeministri Xhaferi sot e njoftoi ambasadoren për këtë vendim të Qeverisë për tërheqjen e Propozim-ligjit për masat restriktive për të cilin, siç u njoftua nga Qeveria, bëhen konsultime shtesë dhe gjithëpërfshirëse, pas së cilave parashikohet shqyrtimi i serishëm i të njëjtit në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Nga VMRO – DPMNE dyshojnë se prapavija e vendimit për tërheqjen e ligjit është tentim i Xhaferit për të shpëtuar nga sanksionet zyrtarët dhe biznesmenët nga BDI dhe LSDM që janë në listat e zeza.
“Çfarë u shpjegoi BDI partnerëve strategjikë për ligjin e listës së zezë? Ndoshta konsiderohet se ky nuk është një ligj evropian? Pse ka frikë koalicioni i rremë evropian i BDI-së dhe LSDM-së? Ata duhet t’u përgjigjen këtyre pyetjeve”, tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Ambasadorja amerikane Angela Ageler, në një intervistë televizive në kuadër të ligjit të propozuar, tha se mirëpresin çdo përpjekje, çdo ligj dhe çdo aktivitet që kërkon llogari nga njerëzit.
“Unë mendoj se bazuar në atë që kam dëgjuar nga njerëzit në mbarë vendin, ata e mirëpresin këtë. Megjithatë, miratimi i një ligji në vetvete nuk do të ndryshojë asgjë. Ju duhet ta zbatoni atë ligj. Pasi të miratohet, shpresoj që atëherë do të reagojë sektori i drejtësisë, që prokurorët të bëjnë punën e tyre dhe të hetojnë, që edhe ata të gjejnë prova për abuzim, siç kemi gjetur ne”, tha Angela Ageler – Ambasadore e SHBA-së.
Ageler nuk përjashtoi mundësinë që deri në fund të procesit zgjedhor të ketë emra të rinj nga shteti në “listën e zezë” amerikane.
Kujtojmë se, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 11 janar prezantoi ndryshimet në Ligjin për masa kufizuese, të cilat do të zbatohen edhe në Maqedoninë e Veriut për personat që janë në “listën e zezë” të SHBA-së. Personat që do të jenë në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara për korrupsion, krim të organizuar, shpërdorim detyre dhe kërcënime hibride do të përballen me pezullimin e përkohshëm të pozicionit që mbajnë, do t’u ndalohet të marrin pjesë në tenderë deri në aktgjykimin e formës së prerë, ndërsa në lojë mbetet edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Ndryshe, Koço Angjushev, Orce Kamçev, Ramiz Merko, Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski janë vetëm disa nga personat që janë futur në “listën e zezë” të SHBA-së në periudhën e fundit. Biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev ishte i fundit në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion masiv.
Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.
- LEXO: SHBA: Mbështesim përpjekjet e Maqedonisë për marrjen në përgjegjësi të atyre që keqpërdorën besimin e publikut për përfitime personale
- LEXO: Personat nga lista e zezë, do të ndiqen edhe me ligj në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Ageler për ndryshimet e ligjit për masa restriktive: Nuk komentojë propozim – ligje, e përshëndës luftën kundër korrupsionit