Kompania nga Maqedonia “Cytrox” nën sanksionet e SHBA-së për rolin e saj në zhvillimin e softuerit spiun “Predator”

Kompania “Cytrox” (Cytrox AD) me seli në Maqedoninë e Veriut, së bashku me katër kompani të tjera dhe dy individë, është vendosur nën sanksione nga Departamenti i Kontrollit të Pasurive të Jashtme të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për rolin e tyre në zhvillimin e softuerit spiun “Predator “, transmeton Portalb.mk.

Përveç kompanisë maqedonase, nën sanksione është vendosur edhe kompania greke Intelexa S. A”, kompanitë “Intelexa Limited” dhe “Talestris Limited” nga Irlanda dhe kompania hungareze “Sytrox Holding”. Tal Jonathan Dilian – themelues i konsorciumit Intelexa dhe Sara Alexandra Faisal Hamou – një specialiste e korporatave offshoring e cila ofronte shërbime menaxhimi për konsorciumin Intelexa po përballen gjithashtu me sanksione.

Të gjitha entitetet, sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, ishin të lidhura me konsorciumin Intellexa për sa i përket zhvillimit, funksionimit dhe shpërndarjes së teknologjisë komerciale të softuerit spiun të përdorur për të synuar amerikanët, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, ekspertë politikash dhe gazetarë.

“Veprimet e sotme janë një hap përpara në dekurajimin e keqpërdorimit të mjeteve të mbikëqyrjes komerciale, të cilat gjithnjë e më shumë përbëjnë një rrezik sigurie për Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët tanë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përqendruara në vendosjen e masave të qarta mbrojtëse për zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të këtyre teknologjive duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive civile të individëve në mbarë botën”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.

Kompania “Cytrox” me seli në Maqedoninë e Veriut, së bashku me tre kompani të tjera nga Greqia, Hungaria dhe Irlanda, u fut në “listën e zezë” amerikane në korrik të vitit të kaluar për shkak të përpjekjeve për të hyrë në sistemet e informacionit, me qëllim të rrezikimit të privatësisë dhe sigurisë së individëve dhe organizatave në mbarë botën.

Ndryshe, kompania maqedonase “Cytrox”, është themeluar në Shkup në vitin 2017. Në bazë të të dhënave nga Regjistri Qendror, themelues i kësaj kompanie për zhvillimin e softuerëve është një kompani hungareze me bazë në Budapest, “Sytrosk Holdings Limited Joint Stock Company” me një kapital fillestar prej 25 mijë eurosh, themeloi “Cytrox AD” Shkup.

Që të dy këto kompani “Sytrosk Holdings Limited Joint Stock Company” me seli në Budapest dhe “Cytrox” në Shkup ndodhen tani në listën e zezë amerikane.

Aktiviteti kryesor i kompanisë “Cytrox” në Shkupi sipas të dhënave të Regjistrit Qendror theksohet se është programimi kompjuterik. Që nga themelimi, kompaninë e ka drejtuar Ivo Malinkovski, i cili më vonë është tërhequr nga ky post.