Drejtori i ri i Higjienës Komunale kopje e Maznevës, nuk i kthen në punë punëtorët, e ka përjashtuar kryetarin e Sindikatës

Shkarkimi i drejtoreshës së Higjienës Komunale Shkup, Kosana Mazneva nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska më 12 tetor të këtij viti erdhi si “vetëtimë në qiell të kthjellët”, duke e pasur parasysh mbështetjen e vazhdueshme që ia jepte kryetarja e qytetit, sidomos në sfidën e drejtoreshës për “pastrimin” e ndërmarrjes nga “mafiozët” për çka kurrë nuk u dëshmua. Me largimin e Maznevës u ringjallën shpresat e mbi 30-të punëtorëve të përjashtuar nga Mazneva, të cilët presin të rikthehen në vendet e punës, ashtu siç urdhëron Inspektorati i Punës, por edhe Bordi Drejtues i Ndërmarrjes Publike, shkruan Portalb.mk.

Mazneva, refuzoi zbatimin rekomandimeve të Inspektoratit dhe Bordit, por edhe drejtori Goce Trajkovski po e bën të njëjtën gjë. Punëtorët, ende nuk janë kthyer në punë. Madje, Trajkovski e ka larguar nga puna edhe kryetarin e Sindikatës Deli Dardhishta, i cili u rikthye në punë disa ditë para se Mazneva të shkarkohet.

“Asgjë s’ka ndryshuar me ardhjen e drejtorit të ri, edhe ky njëjtë si Mazneva po vepron”, na brifojnë punëtorë të Higjienës Komunale Shkup, të cilët dëshirojnë të mbeten anonim për shkak të pasojave që mund të kenë në vendin e tyre të punës.

Ne kontaktuam me drejtorin Trajkovski më 16 tetor, por sapo i treguam se jemi gazetar, ai tha se “jam pak i zënë, do ju thërras pak më vonë”. Por, prej atëherë drejtori më nuk iu përgjigj thirrjeve tona telefonike dhe sms-porosive, praktikë e zyrtarëve jotransparentë të cilët paguhen nga paratë e qytetarëve, por qytetarëve nuk u japin llogari.

Portalb.mk kontaktoi dhe me Sindikatën SUTKOZ, në të cilën bën pjesë dhe Sindikata e Higjienës Komunale, por prej atje na thanë se deri tani nuk kanë pasur ftesë për takim me drejtorin e ri. Ata shtuan se prej javës tjetër do të kërkojnë takim. Në lidhje me përjashtimin për të dytën herë të kryetarit të Sindikatës Deli Dardhishta, ata thanë se kanë dorëzuar sërish ankesë deri te Agjencia për Administratë dhe procedurat gjyqësore për punëtorët e tjerë vazhdojnë.

600 euro gjobë për Higjienën Komunale, 400 euro për ish drejtoreshën Kosana Manzeva

Për shkak të mosrespektimit të masës inspektuese nga Inspektorati i Punës, me të cilën u konstatua se 32 punëtorë të Higjienës Komunale Shkup janë larguar në mënyrë të paligjshme, Higjiena Komunale Shkup si person juridik është gjobitur me 600 euro gjobë, ndërkaq ish drejtoresha Kosana Mazneva me 400 euro.

“Ju njoftojmë se punëdhënësi nuk ka vepruar sipas vendimit të miratuar nga Inspektorati i Punës, me të cilën i është dhënë urdhër të miratojë akt të shkruar me të cilin do t’i shfuqizojë vendimet për shfuqizim të marrëveshjeve për punë të punëtorëve pa afat paralajmërimi dhe ka kryer shkelje sipas nenit 258-a nga Ligji për Marrëdhënie Pune, të dënuar sipas nenit 265 paragrafi 1 alineja 42 dhe paragrafi 2 nga i njëjti ligj. Në lidhje me shkeljen e kryer, në pajtueshmëri me nenin 266-v nga Ligji për Marrëdhënie Pune, punëdhënësit dhe personit përgjegjës i është dhënë urdhërpagesë më 02.10.2023, me ofertë për procedurë për zgidhje. Nga ana e kryerësit të shkeljes, procedura për zgjidhje nuk është pranuar, gjegjësisht nuk është paguar gjoba, për çka do të miratohet Kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse deri te organi kompetent”, thonë për Portalb.mk nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Për 15 muaj, 99 punëtorë të përjashtuar, 67 punëtorë të rinj 

Prej 12 korrikut të vitit 2022, kur me Higjienën Komunale udhëhoqi Kosana Mazneva deri më 3 tetor, 10 ditë para se të shkarkohet nga detyra, nga puna janë larguar 99 persona, 56 prej të cilëve kanë qenë të punësuar në kohë të pacaktuar (me vendim) dhe 43 të tjerë kanë qenë me kontratë.

Këtu, nuk janë të përfshirë, punëtorët të cilëve nuk u është vazhduar kontrata e punës, pavarësisht se mes tyre ka pasur që kanë qenë të punësuar me vite me kontratë.

Të punësuarit dhe të përjashtuarit në Higjienën Komunale - Shkup
Të punësuarit dhe të përjashtuarit në Higjienën Komunale – Shkup

Sipas të dhënave që ka siguruar Portalb.mk, Mazneva në Higjienën Komunale, ka punësuar 67 punëtorë të rinj, të gjithë me kontrata për punësim. Pra gjatë kësaj periudhe, asnjë punëtor nuk është punësuar me “vendim”.

Të punësuarit e rinj në Higjienën Komunale - Shkup
Të punësuarit e rinj në Higjienën Komunale – Shkup

Kur ka ardhur Mazneva në postin e drejtorit, Higjiena Komunale ka numëruar 1.275 punëtor, gjegjësisht 1075 me “vendim” dhe 200 me kontratë për punësim.

3 tetor të këtij viti, disa ditë para shkarkimit, Higjiena Komunale ka numëruar 25 punëtorë më pak, gjegjësisht 1.250 punëtorë. Prej tyre, 1019 janë me “vendim” dhe 231 me kontratë për punësim.

Numri i të punësuarve të rinj në Higjienën Komunale - Shkup
Numri i të punësuarve të rinj në Higjienën Komunale – Shkup

Gjatë kësaj periudhe, Higjiena Komunale nuk ka pasur asnjë të punësuar me “kontratë në vepër”.

Trazirat në Higjienën Komunale Shkup dhe shkarkimi i Maznevës

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, KosanaMazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit DanellaArsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.

Arsovska asokohe e lavdëroi Mazneva-Nikoliqin për trajtimin e strukturave mafioze në ndërmarrje dhe fjalos me gazetarët pse nuk e përkrahin Maznevën në artikuj.

“Kjo grua u qëndroi përballë të gjitha keqpërdorimeve dhe nuk duhet sulmuar. I gjithë qyteti qëndron pas saj, sepse është e guximshme, sepse është e vendosur dhe sepse vetë u është kundërvënë të gjithëve, për të cilat për 20-30 vjet nuk u gjet asnjë burrë që të qëndronte ose ishin më të rëndësishme interesat e tij partiake apo politike”, tha Arsovska më 10 korrik të këtij viti.

Tre muaj më vonë, pa kurrfarë paralajmërimi, Arsovska e shkarkoi Maznevën dhe në vend të saj e emëroi Goce Trajkovskin.

“Është e vërtetë, më kanë shkarkuar nga funksioni i u.d drejtor i ndërmarrjes. Autoritetet e qytetit që marrin vendimet duhet të përgjigjen për arsyet pse u pushova. Nuk bëhet fjalë për tërheqjen time dhe as nuk kam kërkuar të largohem nga ndërmarrja. Përkundrazi, gjatë gjithë kësaj periudhe kam punuar shumë për të përmirësuar kushtet e punës së punëtorëve”, tha Mazneva-Nikoliq për shkarkimin e saj.

Arsovska thotë se e ka shkarkuar drejtoreshën e NP “Higjiena Komunale” Kosana Mazneva-Nikoliq për shkak se nuk është e kënaqur me punën e saj dhe nuk e ka realizuar programin “Për Shkup modern”

“Unë si kryetare komune thashë se nuk garantohet asnjë pozitë nëse nuk zbatohet programi i Qytetit të Shkupit dhe këtë po e bëjmë tani. I japim shans dikujt që besojmë se do t’i zbatojë programet tona në gjashtëmujorin e ardhshëm”, tha Arsovska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim me Shtëpinë Përkujtimore Kombëtare Nënë Tereza.