Arsovska shkarkoi drejtoreshën e “Higjienës Komunale” Kosana Mazneva

Kryetarja e qytetit të Shkupit Danella Arsovska ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e NP “Higjiena Komunale” Kosana Mazneva-Nikoliq. Mazneva-Nikoliq ka konfirmuar për Sdk.mk se është shkarkuar nga pozita e saj, por nuk e di pse, transmeton Portalb.mk.

“Është e vërtetë, më kanë shkarkuar nga funksioni i u.d drejtor i ndërmarrjes. Autoritetet e qytetit që marrin vendimet duhet të përgjigjen për arsyet pse u pushova. Nuk bëhet fjalë për tërheqjen time dhe as nuk kam kërkuar të largohem nga ndërmarrja. Përkundrazi, gjatë gjithë kësaj periudhe kam punuar shumë për të përmirësuar kushtet e punës së punëtorëve”, tha Mazneva-Nikoliq.

Në ndërmarrje u shfaq u.d drejtori i ri Goce Trajkovski, emërimin e të cilit për Sdk.mk e konfirmuan edhe nga Qyteti i Shkupit.

Shkarkimi i Mazneva-Nikoliq vjen tre muaj pas protestave në “Higjienën komunale” kur Arsovska e vlerësoi atë si një grua të guximshme që iu kundërvu mafiozëve.

“Ajo bëri diçka që burrat nuk e kanë bërë për 30 vjet. Njerëzit kanë vite që nuk shkojnë të punojnë këtu, merreni dhe bëni kërkime si gazetarë. Vozisnin kamionë në Gjermani dhe paguheshin. Duhet pastruar më këto gjëra dhe me influencuesit nga partitë që po pozojnë nëpër qytet dhe për 30 vjet e kanë menaxhuar këtë ndërmarrje”, foli atëkohë Arsovska me ton të lartë.

Arsovska e emëroi Mazneva-Nikoliqin për drejtoreshë të “Higjienës Komunale” vitin e kaluar në korrik, pas shkarkimit të Enuz Kokës nga Aleanca për Shqiptarët, pasi vëllai i tij mori pjesë në një incident, gjegjësisht siç akuzoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se donte ta vriste pikërisht atë.

Kujtojmë se kryetarja Danella Arsovska ka ndërruar gjithsej 36 drejtorë në 16 institucione nën kompetencë të Qytetit të Shkupi.

Postin e kryetares së Qytetit të Shkupit Arsovska e mori në nëntor të vitit 2021, pra në këtë detyrë ajo është plot 22 muaj. Sipas kësaj të paktën një ndërmarrje apo institucion në muaj ka mbetur pa person drejtues, ndërsa në këtë post është emëruar një tjetër.

Pas ardhjes së Arsovskës në krye të Qytetit të Shkupit numri më i madh i drejtorëve, rreth katër, janë ndërruar në ndërmarrjen Parkingu i Qytetit, ndërsa nga tre drejtorë janë ndërruar në ndërmarrjen Rrugë dhe Rrugica, ndërmarrjen e Qarkullimit Publik dhe ndërmarrjen Ujësjellësi dhe  Kanalizimet.

Të vetmet institucione që janë nën ingerencat e qytetit dhe ku Arsovska nuk e ka ndërruar drejtorin janë Qendra Kulturore e Fëmijëve Karposh, Salla Universale dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”.