Akuzoi për “struktura mafioze”, Mazneva refuzoi kërkesën zyrtare të Portalbit për të ofruar prova (Dokument)

Higjiena Komunale Shkup me të cilën udhëheqë drejtoresha Kosana Nikoliq Mazneva, e ka refuzuar kërkesën e Portalb.mk për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, me të cilën kërkojmë që të na dorëzojë prova për akuzat e drejtoreshës Mazneva se ka “struktura mafioze” në ndërmarrje dhe punonjës të caktuar kanë vjedhur naftë dhe pjesë të automjeteve apo prova për çfarëdo krim eventual të kryer nga punonjësit, të cilët i përzuri prej punës pasi që kërkuan të drejtat e tyre për kushte më të mira në punë, shkruan Portalb.mk.

“Duke vepruar sipas kërkesës për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, është konstatuar interes i mbrojtur – përjashtim nga qasja e lirë deri tek informatat me karakter publik, në pajtueshmëri me nenin 6 paragrafi 1 pika 5 LQLIKP (-“informata e përfituar ose e përbërë për hetim, procedurë penale ose kundërvajtëse, për zbatimin e procedurës administrative ose civile, dhënia e së cilës do të kishte pasoja të dëmshme për rrjedhën e procedurës)m dhe në pajtueshmëri me Konventën për të drejtën për qasje të lirë deri te dokumentet zyrtare (18 qershor 2009, Tromzo Norvegji)”, thuhet mes tjerash në vendimin e Higjienës Komunale.

Higjiena Komunale shton se provat dhe informatat eventuale, të cilat të cilat nxirren ose krijohen për hetim, procedurë civile ose penale ndaj personave të punësuar në ndërmarrjen publike paraqesin informata me interes të mbrojtur.

“Me sigurimin e qasjes deri tek informatat e kërkuara do të kryhej shkelje serioze e interesit të mbrojtur me përjashtimin e rregulluar ligjor, por edhe shkelje e parimit të barazisë së palëve në proces gjyqësor. Në lidhje me kohëzgjatjen e informatave në fjalë është konstatuar se lejimi i hershëm deri tek informatat do të mundej të shkojë në dobi të subjektit që është lëndë e procedurës civile ose penale”, thonë nga Higjiena Komunale duke shtuar se informatat do të publikohen pasi që të miratohet vendim përfundimtar.

Portalb.mk, vendimin e këtillë do ta ankimojë, për arsye se nuk jemi të kënaqur me konstatimin e Higjienës Komunale.

Gjegjësisht, drejtoresha Mazneva ka përjashtuar nga puna 34 persona nën akuza të rënda dhe për këto akuza nuk ka ofruar asnjë provë të vetme.

Portalb.mk kërkon që Mazneva, të ofrojë prova për akuzat, në bazë të të cilave i ka përjashtuar punëtorët dhe u ka shkaktuar dëm material dhe jomaterial.

Portalb.mk dhe Meta.mk kanë verifikuar në Prokurori dhe MPB nëse Mazneva apo Higjiena Komunale ka dorëzuar ndonjë padi penale për akuzat në fjalë, por ata mohuan të ketë dorëzuar diçka të tillë.

Veç kësaj, në vendimet e punëtorëve të përjashtuar, si arsye përjashtimi nuk theksohen akuzat e Maznevës, por ata janë përjashtuar pse kanë marrë pjesë në revoltën e punëtorëve.

Plotësisht, Inspektorati i Punës, në lidhje me përjashtimin e punëtorëve ka kryer inspektim dhe ka konstatuar se Mazneva i ka përjashtuar punëtorët në mënyrë të paligjshme.

Trazirat në Higjienën Komunale Shkup

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.

Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën dhe kryetaren e Shkupit për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flasin, por edhe për personat që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, gjegjësisht kërkoi që të nxirren emrat dhe provat, por, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit nuk treguan asnjë provë dhe asnjë dëshmi për akuzat.

Portalb.mk ka dërguar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publike për të marrë të dhëna zyrtare për çështjen e akuzave të drejtoreshës dhe kryetares së Shkupit, gjegjësisht për të treguar se kush dhe në çfarë mënyre e ka dëmtuar Higjienën Komunale Shkup. Deri sot, ende nuk kemi përgjigje.