Nuk na ka përjashtuar pse s’kemi shkuar në punë, po pse i kemi kërkuar të drejtat tona, thonë disa punëtorë të Higjienës Komunale

Disa prej të punësuarve të larguar nga puna në Higjienën Komunale Shkup, ankohen për Portalb.mk, se e vetmja arsye pse janë larguar nga puna është pse janë ngritur në revoltë për t’i kërkuar të drejtat e tyre të mohuara dhe jo për shkak se nuk kanë shkuar në punë apo kanë kryer ndonjë vepër tjetër penale, për çka drejtoresha Kosana Mazneva dhe kryetarja e Qytetit Danella Arsovska vazhdimisht kanë akuzuar gjatë këtyre ditëve, njofton Portalb.mk.

Punëtori i cili në Higjienën Komunale ka punuar në sektorin e transportit, Vebi Aziri, thotë se 15 vite ka qenë i rregullt në punë pa asnjë vërejtje disiplinore dhe siç thotë, është përzënë prej pune vetëm pse i ka kërkuar të drejtat e tij, pavarësisht se ka vendim pune.

“Unë kam qenë punëtor në transport, për 15 vite i rregullt. Lirisht shkoni kontrolloni, i keni dokumentacionet që Vebia ka qenë i rregullt në punë. Asnjëherë s’kam pasur procedurë disiplinore apo dënime. Të na përjashtojë prej pune vetëm pse kemi qenë të revoltuar punëtorët, s’e di… Kemi kërkuar të drejtat e tona, për me i rrit rrogat ajo na quan “mafioz”. S’kemi lidhje me mafiozë, kemi qenë punëtorë të rregullt. Vërtetimin e lëshimit nga puna na kanë thënë që duhet të shkojmë ta nënshkruajmë, por ne nuk do të shkojmë. Pse të nënshkruaj, të më përjashtojnë prej pune? Për çfarë arsye? Nuk na kanë përkrahur, ku janë partitë shqiptare që janë në qeveri, duhet me dalë. Nuk jam i vetmi, janë 250 kolegë na kanë nxjerr prej pune, domethënë 250 familje na kanë lënë askund, kjo a është ndonjëfarë nacionaliste, apo është duke u hakmarrë diçka nuk e di”, thotë Aziri, duke shtuar se do të kërkojë drejtësi nëpërmjet rrugës ligjore.

Fatmir Gajniju, një tjetër punëtor në mesin e të përjashtuarve prej punës prej drejtoreshës Kosana Mazneva, në një deklaratë për Portalb.mk, thotë se është përzënë pse ka kërkuar të drejtat e punëtorëve. Ndërkaq, për akuzat e Maznevës, thotë se le të ofrojë dëshmi.

“Nuk është e vërtetë se ka pasur njerëz që kanë ardhur në punë dhe kanë marrë rrogë. Le ta nxjerrë listën me argument – ashtu sikur mbrëmë ma ka nënshkruar kontratën. Kur vjen këtu, natën i nënshkruan kontratat ose pasdite dhe pastaj i nxjerrin njerëzit në tabelë. Nuk është e drejtë. Nëse kam bë diçka krim ose parregullsi, siç ka thënë se vjedhin naftë, vjedhin vaj, le të shkojë le ta shohë në historinë time në polici, jo mua të më marrin në polici, [gjatë ndërhyrjes] jemi rrahur dhe shtyrë prej policisë. Katër fëmijë, vetë me bashkëshorten jemi gjashtë anëtarë. Kjo mendon se me një rrogë të komunalecit do ta nxjerrim me krye, nuk jemi ne drejtorë që ua kanë rritur nga 80% rrogën dhe që i marrin nga 2-3 mijë euro. Ne jemi punëtorë. Kam qenë i rregullt në punë, le ta shohë, kam kolegë, shefa, çfarë më kanë thirrur natën apo ditën, ndoshta tre herë ditë ka pas rast edhe 24/7”, thotë Ganiu.

Ai tha se rastin do ta paraqit tek Avokati i Popullit dhe instancat gjyqësore, ndërkaq kërkoi edhe nga partitë politike shqiptarë që t’i mbrojnë punëtorët.

Punëtori tjetër, Jeton Dardhishta për Portalb.mk, thotë se edhe ai ka qenë i rregullt në punë, por është përzënë pasi që ka kërkuar të drejta për punëtorët.

“Së pari faleminderit si portal që na keni ndihmuar dhe çdo ditë keni qenë afër nesh. Unë jam njëri të përjashtuarve prej komunalecit. Problemi nuk e di çfarë ka qenë, sot na ka thirr me i marr vendimet, me i nënshkrujt që na kanë përjashtuar prej pune. Ne kemi qenë me punëtorët, si grevë me thënë, vazhdimisht me punëtorët në përgjithësi. Të shtunën në mbrëmje, kanë ardhur këtu me njësi speciale na kanë marrë dhe kanë dërguar në stacion policor. 4 orë na kanë mbajtur dhe nuk e kemi ditur për çka. Sot na ka thirr me e marr vendimin ku thuhet se me datën 7 na ka përjashtuar prej pune. Nuk e di se pse e ka bë këtë punë”, thotë Dardhishta.

Akuzat e Maznevës dhe Arsovskës se ka punëtorë që nuk shkojnë në punë, por marrin rrogë, ai thotë se për atë ka shefa që mund ta kontrollojnë, por megjithatë ato nuk janë përjashtuar për atë çështje, por pse kanë bërë revolt dhe kanë kundërshtuar drejtoreshën. Edhe ai paralajmëron se rastin do ta çojë në instanca gjyqësore.

Disa prej punëtorëve na treguan dhe vendimet e largimit nga puna në të cilat, arsye kryesore theksohen pjesëmarrja e tyre në revoltin e punëtorëve.

Arsyet që numërohen në dokumentin e nënshkruar nga Mazneva janë:

  • Pengim të një ose më shumë punëtorëve në punë;
  • Gjatë punës ose në lidhje me punën ma kryer veprime në të cilat ka shenja të veprës penale;
  • Nuk u është përmbajtur dispozitave për mbrojtje shëndetësore, mbrojtje gjatë punës, zjarrit, shpërthimit, veprimit të dëmshëm të helmeve dhe materieve tjera të rrezikshme dhe i ka shkelur dispozitat për mjedis shëndetësor.

Në vendim thuhet se punëtori përjashtohet pasi që ka kryer vepra të parregullta, gjegjësisht prishjen e rendit të punës dhe disiplinës ose mosplotësim të obligimeve të punës të caktuara me ligj.

Punëtori ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Bordin Drejtues të ndërmarrjes në afat prej 8 ditëve, ndërkaq ankesa nuk e mban nga zbatimi vendimin për përjashtim.

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.

Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën dhe kryetaren e Shkupit për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flasin, por edhe për personat që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, gjegjësisht kërkoi që të nxirren emrat dhe provat, por, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit nuk treguan asnjë provë dhe asnjë dëshmi për akuzat.

Portalb.mk ka dërguar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publike për të marrë të dhëna zyrtare për çështjen e akuzave të drejtoreshës dhe kryetares së Shkupit, gjegjësisht për të treguar se kush dhe në çfarë mënyre e ka dëmtuar Higjienën Komunale Shkup. Deri sot, ende nuk kemi përgjigje.