Së paku 16 të vrarë nga të shtënat me armë në SHBA, i dyshuari në arrati

Një burrë i dyshuar hapi zjarr të mërkurën mbrëma në një kafene dhe në një sallë boulingu në Luiston, Mein, të Shteteve të Bashkuara, duke i vrarë së paku 16 njerëz dhe duke i lënduar dhjetëra të tjerë, raporton agjencia Associated Press, transmeton REL.

Policia është duke e kërkuar të dyshuarin dhe i ka urdhëruar banorët të strehohen.

I dyshuari është identifikuar nga policia si Robert Card, i cili ishte trajnuar si instruktor i armëve të zjarrit në qendrën stërvitore të Rezervës Ushtarake të SHBA-së në Mein.

Sipas një dokumenti, të rishikuar nga Associated Press, i cili i ishte dërguar oficerëve të sundimit të ligjit, Cardi ishte shtrirë në një qendër të shëndetit mendor për dy javë në verën e vitit 2023.

Dokumenti nuk ka ofruar të dhëna specifike për tretmanin apo gjendjen e tij.

Në dokument, po ashtu, thuhej se Card kishte raportuar se po dëgjonte zëra dhe se kishte kërcënuar se do të shtinte me armë zjarri në bazën stërvitore ushtarake në Sako, Mein.

Zyra e sherifit i publikoi dy fotografi të të dyshuarit në faqen e vet në Facebook, ku shihej një sulmues duke u futur në një ndërtesë teksa e mbante lart pushkën. Autoritetet thanë se të shtënat nisën pak para orës 19:00 të mërkurën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bisedoi në telefon me guvernatoren e Mein, Janet Mills, si dhe me anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, duke iu ofruar atyre “mbështetje të plotë federale pas këtij sulmi të tmerrshëm”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Senatori nga Mein, Angus King, tha se është “thellësisht i trishtuar për qytetin Luiston dhe për të gjithë të brengosurit për familjet, miqtë dhe fqinjët e tyre”, dhe se po e vëzhgon gjendjen.

Shkollat lokale do të mbyllën të enjten dhe njerëzit duhet të kërkojnë strehim në vende të sigurta, tha kryeinspektori Jake Langlais, duke shtuar: “Rrini afër më të dashurve tuaj. Përqafoni ata”.

Në Mein nuk kërkohet leje për armëmbajtje dhe ky shtet e ka një kulturë të moçme të armëmbajtjes që ndërlidhet me traditat e tij për gjueti dhe për qitje sportive.

Dy zyrtarë të sundimit të ligjit thanë për Associated Press se së paku 16 persona u vranë dhe se ky numër pritet të rritet.

Ata thanë se edhe dhjetëra njerëz të tjerë janë plagosur. Zyrtarët nuk ishin të autorizuar për të folur publikisht për hollësitë e hetimit që po vazhdon, dhe folën për AP-në në kushte anonimiteti.