Cilët punëtorë kërkohen më së shumti në vendet e Evropës?

Punëdhënësit në Evropë e kanë më të vështirë të gjejnë mësimdhënës, punonjës shëndetësorë dhe specialistë të teknologjisë informative (IT), ndërsa për punë fizike dhe ndihmëse më lehtë sigurohet kuadri, tregon hulumtimi më i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i realizuar në 27 vende evropiane, shkruan Portalb.mk.

Mësimdhënësit janë ndër pesë profesionet me mungesën më të madhe të kuadrit në 21 vende, punonjësit shëndetësorë në 23 vende, ndërsa inxhinierët e IT-së në 18 vende. Kërkesa është e lartë edhe për infermierë dhe teknikë mjekësorë, si dhe për specialistë të biznesit dhe administratës.

Punëtorët fizikë gjenden më lehtë

Në anën tjetër janë punëtorët fizikë, ndihmësit në përgatitjen e ushqimit, shitësit dhe punëtorët në profesione të thjeshta. Këto janë ndër profesionet për të cilat më lehtë gjenden kandidatë.

Mungesa e personelit shëndetësor lidhet me pagat e ulëta, vëllimin e madh të punës, kushtet e këqija të punës dhe rraskapitjen profesionale. Te mësimdhënësit, përveç pagave, problem paraqesin edhe obligimet administrative, kërkesat në rritje dhe mundësitë e kufizuara për zhvillim profesional.

Shkaqet: Plakja e popullsisë, mobiliteti i pamjaftueshëm i fuqisë punëtore dhe mospërputhja mes tregut dhe arsimit

OECD paralajmëron se mungesa e punëtorëve ka edhe shkaqe strukturore – plakjen e popullsisë, mospërputhjen mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës, si dhe mobilitetin e pamjaftueshëm të fuqisë punëtore.

Hulumtimi tregon gjithashtu se gjendja nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Në Spanjë, për shembull, veçanërisht mungojnë ndihmësit në përgatitjen e ushqimit, ndërsa në Norvegji është e vështirë të gjenden punëtorë fizikë.

Ekspertët vlerësojnë se për tejkalimin e këtij problemi nevojiten kushte më të mira pune, trajnime dhe arsimim të harmonizuar me nevojat e punëdhënësve, si dhe lëvizje më e lehtë e punëtorëve ndërmjet vendeve evropiane.

Ndryshe, Sipas të dhënave të fundit nga Regjistri i Licencave të Odës së Mjekëve, Maqedonia ka 509 mjekë më pak këtë vit sesa vitin e kaluar.

Repartet spitalore në Maqedoninë e Veriut ku zhvillohet beteja më e vështirë për jetën e pacientëve po përballen me mungesë serioze të infermierëve.

Pikërisht në repartet e kujdesit intensiv dhe reanimacionit, ku çdo sekondë do të thotë jetë, po mbetet gjithnjë e më pak staf, ndërsa presioni rritet.

Kujtojmë se në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.