ANALIZË: Borxhi i brendshëm i RMV-së ka arritur 443,5 milionë euro!
Trendi në rritje i “borxhit të brendshëm” nuk ndalet. Detyrimet e prapambetura, por të papaguara të institucioneve në nivel qendror dhe lokal, të ndërmarrjeve publike, komunave, firmave shtetërore, në fund të gjysmëviti i parë ekonomik, kap vlerën mbi 443,5 milionë euro. Borxhi i Shëndetësisë publike po i afrohet vlerës 100 prej milionë eurosh – me rritje si në nivel tremujor ashtu edhe krahasuar me vitin e kaluar. Borxhi në bazë të shërbimeve të papaguara komunale, ngrohjes, transportit ka kaluar vlerën 120 milionë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Firmat shtetërore dhe NP-të, borxhlinjtë më të mëdhenj…
Shëndetësia, ndërmarrjet publike dhe NP-të komunale, firmat shtetërore, i kanë rritur borxhet e tyre për tre muaj. Në fund të muajit qershor, sipas të dhënave të reja të Ministrisë së Financave, borxhi i përgjithshëm i brendshëm arriti në 443,5 milionë euro dhe krahasuar me tremujorin e parë është rritur për pothuajse 2,2 milionë euro. Në vend të parë me detyrimet e prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 164 milionë eurosh janë ndërmarrjet publike dhe firmat shtetërore, në vendin e dytë janë institucionet shëndetësore publike me një borxh prej 95,4 milionë euro, kurse në vendin e tretë janë ndërmarrjet publike komunale me një shumë të borxhit prej 80,3 milionë euro.
Krahasuar me situatën në fund të dhjetorit të vitit 2022, ose në vetëm për gjashtë muaj, totali i borxhit të brendshëm është rritur për 25 milionë euro. Të dhënat tregojnë se madje 228 milionë euro i detyrohen sektorit publik, ndërsa 193 milionë euro sektorit privat, organizatave joqeveritare dhe shoqatave.
Analiza krahasuese në nivel tremujor tregon se borxhet për shërbimet komunale, ngrohje dhe transport janë rritur ndjeshëm. Në fund të tremujorit të dytë, detyrimet e prapambetura, por të papaguara mbi këtë bazë kanë kaluar vlerën 120 milionë euro, që është për pothuajse 42,2 milionë euro më shumë se situata në tremujorin e parë. Rritje më të theksuar ka te borxhi në bazë të shërbimeve kontraktuale, i cili për tre muaj është rritur për pothuajse 6 milionë euro.
Në listën e re të borxhlinjve shumën më të lartë të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara e ka HM “Transporti” me 64,9 milionë euro, HM “Infrastruktura” ka detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 34,4 milionë euro, ESM Distribucioni ka një borxh prej 27,6 milionë euro, në vendin e katërt është NP-të në fushën e shëndetësisë (shërbimi i përbashkët për furnizimin e institucioneve shëndetësore) me borxh në vlerë prej 21 milionë euro, ndërsa në vendin e pestë është Spitali i Përgjithshëm i Kërçovës me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 19,1 milionë euro.
Borxhet e shëndetësisë publike…
Shëndetësia publike është pikërisht një nga sektorët shtetërorë që ka rritur borxhin gjatë tre muajve të fundit. Krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, ose për gjashtë muaj, shëndetësia publike e ka rritur borxhin për pothuajse 11 milionë euro.
Përveç Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës, i cili renditet lart sipas shumës së borxhit, në listën e 30 “borxhlinjve më të mëdhenj” janë: Klinika për Traumatologji dhe Qendra urgjente me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 5 milionë euro, Spitali i përgjithshëm i Kumanovës me 3,4 milionë euro, Klinika Universitare për Gjinekologji me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 3 milionë euro, e të njëjtën shumë të borxhit e kanë edhe SPQ “8 Shtatori”, Klinika e Kirurgjisë Torakale dhe Instituti i Transfuziologjisë. Në listën e re të borxhlinjve janë spitalet nga pothuajse të gjitha qytetet e vendit. Borxhe në vlerë mbi 2 milionë euro kanë raportuar pothuajse të gjitha klinikat e Shkupit – për Hematologji, Neurologji, Kirurgji digjestive, Kardiologji, si dhe Instituti për Sëmundje të Mushkërive “Kozle”.
Në Analizën e radhës, Portalb.mk do t’i publikojë të dhënat për komunat dhe ndërmarrjet publike me borxhe më të mëdha.