Fragjilitet i pasosur (II)

Fondi Monetar Ndërkombëtar e cilëson shtetin fragjil si një subjekt me qeverisje të dobët, kapacitet të kufizuar administrativ, kriza humanitare kronike, tensione të vazhdueshme sociale, dhunë, trashëgimi të konfliktit të armatosur dhe luftës qytetare; në vendet e tilla cilësia e dobët e politikave, institucioneve dhe qeverisjes qëmtojnë performancën ekonomike, ofrimin e shërbimeve bazike sociale dhe efikasitetin e asistencës së donatorëve. Sipas Agjencionit Zvicerian për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) një shtet apo kontekst përshkruhet si fragjil nëse një pjesë e konsiderueshme e popullatës nuk e sheh shtetin si kornizë ligjore për ushtrim të pushtetut, nëse shteti s’ia del të ushtrojë monopolin e forcës brenda territorit të vet ose nëse nuk ka mundësi apo vullnet për t’i siguruar të mirat apo shërbimet bazike të popullatës.

Në përgjithësi, në këto shoqëri apo shtete, që nuk kanë arritur të sigurojnë kohezionin ekonomik, politik dhe social, ku mbizotëron partizimi, partizanizmi, tjetërizimi, tendosjet, pasiguria, bartin rrezikun e vet ontologjik, të ekzistencës apo të qeniesimit.

Sipas studimit të FMN-së të vitit 2022 të tituluar “IMF Strategy for Fragile and Conflict-Affected States”, në vendet me fragjilitet dhe tension të lartë shënohet rënie në kapacitetin qeverisës të shtetit, relativizim dhe shpërfillje e ligjeve, fuqizim i  polarizimeve shoqërore, ngjallje e ndjesive negative ndaj shtetit në përgjithësi, gjë që vërehet edhe tek ne, në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë shënohet edhe rënie në cilësinë e arsimit, dobësim të kapitalit human (brain drain), degradim ekonomik, probleme me stabilitetin makroekonomik dhe rritjen përfshirëse.  Si sinonime të shtetit fragjil përdoren edhe termat “shteti i dështuar” dhe “shteti i falimentuar”.

Sipas hulumtimit të “The Fund for Peace” të këtij viti, bazuar në indikatorë të kohezionit (aparati i sigurisë, elitat e përçara, brengat e grupeve), ekonomikë (rënia ekonomike, zhvillimi i pabarabartë ekonomik, “fluturimi njerëzor” dhe ikja e trurit), politikë (ligjëshmëria e shtetit, shërbimet publike, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit) dhe socialë (presionet demografike, refugjatët dhe personat vendorë të zhvendosur, intervenimi i jashtëm), me indeksin e shteteve fragjile (FSI) 60.3, duke u radhitur e 112 nga 179 vende që kanë qenë objekt i këtij hulumtimi.

Sipas këtij indeksi që e ka gjenezën të Conflict Assesment System Tool (CAST), i zhviluar në vitet 1990, si një kornizë për politikbërësit, praktikuesit e terrenit që kanë pasur target ndryshimin e klimës dhe dinamikave konfliktuale kah e mira, mirëkuptimin, RMV në kuadër të njësive matëse “sustainable” (qëndrueshëm), “stable” (stabil), “warning” (alarm) dhe “alert” (rrezik) gjendet në kategorinë e tretë, që do të thotë se jemi në gjendje të kërcënimit, alarmante të nivelit 1, jo të nivelit 2 dhe 3 që është afër riskut. Vlerësimin më të keq e kemi marrë si vend në grafën “ekonomi”(6.3), “brain drain” (6.3) dhe “elitat përçarëse” (7.3). (fragilestatesindex.org)

“Ne duhet të shikojmë botën përmes lenteve të fragjilitetit, si ndërkombëtarisht ashtu edhe lokalisht” – shprehet Nate Haken, hulumtues nga Fondi për Paqe (FFP).

Ndërkohë siç thotë Rousseau, duhet të kemi një përkim të mahnitshëm të interesave dhe drejtësisë, un açord admirable de l’intérêt et de la justice. E kthjellët si loti: nëse nuk kemi interesa të përbashkëta dhe drejtësi, s’mund të kemi as shoqëri, as shtet e as ardhmëri të përbashkët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.