Burg shtëpiak dhe konfiskim i pasaportës për Artan Grubin që ishte në arrati për 14 muaj

Pas intervistës së zhvilluar ndërmjet prokurorit publik dhe Artan Grubit rreth aferës korruptive në “Lotarinë Shtetërore”, prokurori publik ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për të dyshuarin e dytë, Artan Grubin. Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin, transmeton Portalb.mk.

“Lidhur me masat për sigurimin e pranisë së të dyshuarit të dytë në rrjedhën e mëtejshme të procedurës, Prokuroria Themelore Publike Shkup propozoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak dhe konfiskim të dokumentit të udhëtimit”, raportoi Prokuroria Themelore Publike.

Prokuroria sqaroi që për shkak materialit të madh, ditët në vazhdim do të vazhdojë intervistimi i Grubit për çka u kërkuar edhe ndryshimi i masës. Për shkak pasigurisë në paraburgim dhe sigurisë së familjarëve, ai pritet të zhvendoset në burgim shtëpiak.

Ndryshe, sot (23 shkurt) në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai u arrestua në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar. Pasi u dërgua në burgun e Shutkës, vazhdoi intervistimin në Prokurori dhe Gjykatën Penale.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

Katër të tjerët dyshohen në cilësinë e tyre si kryetarë dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje të veçanta publike dhe ekziston dyshimi se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike për transferimin e të drejtës për të organizuar lojëra fati elektronike dhe online, megjithëse e dinin se një procedurë e tillë në raste specifike nuk duhet të kryhet.