SPGPM dhe SHGM reaguan ndaj deklaratave të Mickoskit për artikuj gazetaresk të porositur
Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shprehin shqetësim lidhur me deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski për porositjen e teksteve në media, të dhënë në një intervistë televizive para dy ditësh. Në deklaratën lidhur me shkrimin e Financial Times (FT) për operacionet afariste të Alta Bankës së Serbisë në Austri, kryeministri la të kuptohet se teksti konkret në këtë medium ishte ose mund të ishte porositur, transmeton Portalb.mk.
Vënia në dyshim e reputacionit të një mediumi me renome botërore, por edhe e cilitdo mediumi profesional, nuk përcjell mesazh të mirë. Edhe më serioz është qëndrimi i kryeministrit se subjektet politike „mund të porosisin tekste në çfarëdo portali“ dhe „të shkruajnë gjithçka“, si dhe deklarata e tij se „nuk e kupton se çfarë ka të keqe këtu“.
Në përgjigje të pyetjeve shtesë të gazetares, kryeministri mohoi se ai ose partia në pushtet porosisin tekste për të njollosur dikë. SPGPM dhe SHGM e marrin parasysh këtë, por konsiderojnë se deklaratat e tilla, pavarësisht qëllimit, e minojnë rolin e mediave të lira në shoqëritë e qëndrueshme demokratike: të jenë mbikëqyrëse të pushtetit dhe të kontribuojnë në informimin e publikut mbi bazën e fakteve të konfirmuara nga burime relevante.
SPGPM dhe SHGM rikujtojnë se tekstet e porositura në media mund të publikohen vetëm si reklama për qëllime marketingu, të cilat mediumi duhet t’i shënojë qartë. Duke qenë të vetëdijshëm se në disa media mund të ekzistojnë edhe porosi joformale, ata theksojnë se kjo praktikë është plotësisht në kundërshtim me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë dhe dëmton interesin publik.
Prandaj, deklaratat e tilla e cenojnë edhe më tej besimin tashmë të brishtë te mediat dhe gazetarët.
Ai në intervistën për emisionin “Top Tema” në TV Telma deklaroi se “Financial Times” “mund të shkruajë çfarë të dojë”, si dhe se “mund të porosisim tekst ku të dëshironi, në çfarëdo portali që dëshironi dhe të shkruhet gjithçka, nëse duam të flasim për këtë”.
Në thelb, kjo ishte përgjigjja e Mickoskit lidhur me zhvillimet aktuale në Alta Banka në Manastir dhe shkrimin e “Financial Times” para dy vitesh, në një artikull ku thuhet se Banka Qendrore Evropiane e kundërshton përpjekjen e grupacionit serb për marrjen nën kontroll të bankës austriake Addiko.
“Ju mund të porosisni tekst!?”, pyeti e habitur dukshëm redaktorja Natasha Stojanovska, ndërsa Mickoski u përgjigj: “Epo, mund të bëjmë gjithçka nëse duam”, duke shtuar: “Nuk e di çfarë ka të keqe këtu”.
Në pyetjen shtesë nëse porosit tekste, Mickoski u përgjigj: “Jo, jo. Po ju them në mënyrë hipotetike se mund të porositet tekst në cilindo medium dhe në çfarëdo mënyre. Nuk po them se kjo do të ndodhë, për ta komprometuar dikë. Në rastin konkret, ‘Financial Times’ ose ndonjë medium tjetër mund të shkruajë çfarë të dojë, por unë po flas për gjendjen faktike”, tha Mickoski.
Sot i pyetur për të njëjtën çështje nga gazetarët, ai tha deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti.
“Nuk e di kush më akuzon se porosis tekste, ja le të paraqiret ndonjë koleg i juaji të tregojë a kam porositur tekst. Përndryshe është nxjerrë krejt nga konteksti fjalia ime dhe do të ishte joshtetërore që shteti të mos ketë relacione me media botërore në procesin e organizimit të një fushate për një vend dhe do të ishte e pjekur jokorporative nëse kompanitë nuk do të kishin marrëdhënie të tilla përmes agjencive me mediat botërore për të promovuar ose zhvilluar politika biznesi dhe kjo do të ishte e papjekur në të dyja rastet. Kjo ishte deklarata ime, përndryshe më vjen keq që këtu individët gjithmonë përpiqen ta nxjerrin atë që them nga konteksti. Qëndrimi im është i njëjtë, kemi pasur dhe do të vazhdojmë të kemi, të themi, një fushatë të tipit Investo në Maqedoni. Dhe normalisht do të porosisim artikuj, tekste autorësh, një fushatë promovuese për vendin”, tha Mickoski.