Mbrojtja e kontestoi ekspertizën e Prokurorisë në rastin “Lotaria Shtetërore”
Në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë. Në seancë dëshmoi ekspertja ekonomike e Prokurorisë, Anita Popovska, e cila iu përgjigj pyetjeve të avokatëve të mbrojtjes, shkruan Portalb.mk.
Pyetjet e mbrojtjes u përqendruan te kompetencat e Byrosë për Furnizime Publike dhe Ministrisë së Financave gjatë procedurës për furnizimin me aparatet VLT.
E pyetur për kontrollin administrativ të Byrosë për Furnizime Publike, Popovska tha se kishte për qëllim të kontrollonte nëse gjatë procedurës ishin respektuar dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike. Ndërsa për mundësinë që Byroja të niste procedurë kundërvajtëse ose penale, ajo tha se nuk kishte njohuri se cilat mjete të tjera kishte në dispozicion institucioni.
Avokatët kërkuan sqarime edhe për mendimin e Ministrisë së Financave lidhur me informacionin që Lotaria Shtetërore ia kishte dorëzuar Qeverisë. Popovska konfirmoi se ministria kishte dhënë pëlqim për informacionin dhe se në mendimin e saj kishte theksuar se nuk kishte vërejtje, brenda kompetencave të saj.
Gjatë seancës, mbrojtja u thirr edhe në dispozitat e Ligjit për Lojërat e Fatit, duke pretenduar se Ministria e Financave kishte për detyrë të kontrollonte dokumentacionin e dorëzuar nga Lotaria Shtetërore. Prokuroria kundërshtoi pyetjen, me arsyetimin se ekspertja po kërkohej të interpretonte ligje.
Në ekspertizën e saj, Popovska kishte përfshirë të gjithë procesin e furnizimit me aparatet VLT, nga planifikimi dhe procedura e prokurimit deri te dorëzimi i pajisjeve dhe pagesat.
Sipas saj, për këtë furnizim janë paguar gjithsej 596.125.511 denarë. Ndërsa për operatorin e tretë ekonomik të përzgjedhur nuk janë konstatuar kontrata të veçanta, dorëzim pajisjesh, fatura apo pagesa.
Kujtojmë se përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.
- LEXO: “Lotaria Shtetërore”: Bordi nuk diskutoi veçmas blerjen e terminaleve VLT, Grubi do të propozojë ish ministrat si dëshmitarë
- LEXO: U shty seanca gjyqësore për “Lotarinë Shtetërore”, nuk u paraqit dëshmitarja e Prokurorisë
- LEXO: Prokuroria paraqiti 231 prova në rastin “Lotaria Shtetërore”, Grubi pati vërejtje
- LEXO: Përparim Bajrami dhe Bashkim Avdiu u deklaruan të pafajshëm në seancën e sotme për rastin “Lotaria” (VIDEO)