Evazion fiskal prej mbi 100 milionë denarësh, kallëzim penal ndaj një kompanie në RMV dhe pronarit të saj
Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër një personi fizik – pronar dhe drejtues i një personi juridik, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Evazion fiskal” nga neni 279 dhe “Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë” nga neni 280 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Gjatë vitit 2024, personi i parë i kallëzuar, V.T., në cilësinë e pronarit dhe drejtuesit të personit juridik të kallëzuar, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar për të përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme, ka përvetësuar mallrat e blera tregtare, të regjistruara si stoqe të personit juridik, të cilat nuk janë gjetur në vendin përkatës gjatë inventarizimit fizik të kryer nga komisioni i inventarizimit, i formuar nga administratori i falimentimit.
Mungesa e konstatuar e mallrave, në vlerë të përgjithshme prej 344.122.292 denarësh, nuk është evidentuar në regjistrat kontabël të personit juridik, ndërsa mallrat janë përvetësuar pa bazë nga personi i parë i kallëzuar. Për këtë veprim nuk janë llogaritur, deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore në bazë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në vlerë prej 61.942.013 denarësh, dhe tatimit mbi të ardhurat personale, në vlerë prej 38.231.987 denarësh.
Me këto veprime, personi i parë i kallëzuar, përmes personit juridik të kallëzuar, ka shmangur llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore të përcaktuara me ligj, në bazë të dy kategorive të lartpërmendura, në vlerë të përgjithshme prej 100.173.999 denarësh, duke i shkaktuar kështu dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.