Pas një viti e tepër në arrati, Artan Grubi u paraqit dhe u arrestua në kufirin e Bllacës (Video)

Në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Janë publikuar pamje nga momenti i arrestimit në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar, transmeton Portalb.mk.

“Sot (23.02.2026) në orën 06:10, në Pikën e Kalimit Kufitar Bllacë, në hyrje të shtetit, u privua nga liria Artan Grubi (48), i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lidhur me hetimin e veprës sē kryer penale sipas nenit 354, paragrafi 5, në lidhje me nenin 3, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal”, thonë nga MPB.

Nga MPB-ja për TV24 konfirmuan se Grubi është dërguar në burgun e Shutkës, pasi ndaj tij ishte caktuar masë paraburgimi 30-ditor në mungesë, gjatë kohës që ishte në arrati.

Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftuan se do të informojnë më tej për mënyrën e vazhdimit të procedurës, përkatësisht kur ai do të paraqitet para prokurorit publik.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.