Prokuroria kërkoi paraburgim për 54-vjeçarin nga Kumanova për rrezikim të sigurisë

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë ndaj një 54-vjeçari për rrezikim të sigurisë dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, pasi ai dyshohet se ka kërcënuar se do t’i djegë vajzën dhe mbesën e tij. Sipas Prokurorisë, përveç kërcënimeve verbale, i dyshuari ka ndërmarrë edhe veprime konkrete, duke derdhur dy shishe benzinë në shtëpi, shkruan Portalb.mk. 

Autoritetet bëjnë të ditur se sjellja e dhunshme e 54-vjeçarit është përsëritur, ndërsa ndaj tij tashmë është ngritur edhe një aktakuzë për lëndim trupor ndaj vajzës së tij, gjatë ushtrimit të dhunës në familje nën ndikimin e alkoolit. Ky rast aktualisht ndodhet në fazën e gjykimit.

Pas raportimit të rastit të fundit, është kryer një vlerësim urgjent i rrezikut, i cili ka treguar se ekziston rrezik serioz për jetën dhe integritetin fizik e psikik të viktimës dhe anëtarëve të familjes së saj. Prokuroria vlerëson se ekziston frikë e arsyeshme se i dyshuari mund ta përsërisë dhunën dhe të kryejë një vepër edhe më të rëndë, përfshirë realizimin e kërcënimeve të tij.

Për këtë arsye, prokurori publik ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke vlerësuar se rreziku nuk mund të parandalohet përmes ndonjë mase tjetër më të butë.