“T’i japim fund dhunës është përgjegjësi e përbashkët”, nisi fushata 16-ditore në Maqedoninë e Veriut

Nën moton “E zonja e vetes”, sot nis fushata e këtij viti “16 Ditë Aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, me kërkesë për drejtësi për gratë dhe vajzat dhe me thirrje për përfshirje më të madhe të të gjitha segmenteve të shoqërisë në përballjen me këtë problem gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm gjatë këtyre 16 ditëve, transmeton Portalb.mk.

Fushata globale përqendrohet në tri shtylla: ngrijeni zërin, besojuni personave që kanë përjetuar dhunë dhe kërkoni drejtësi, ndërsa në nivel kombëtar, këtë vit vëmendje e veçantë i kushtohet edhe dhunës ekonomike ndaj grave dhe vajzave, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për format e fshehta të dhunës, të cilat shpesh anashkalohen, por që jo rrallë përbëjnë pararendëse të formave më të rënda dhe më të dhunshme të abuzimit.

Fushata kombëtare organizohet së bashku nga të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara në vend, Delegacioni i Bashkimit Evropian, Misioni i OSBE-së në Shkup, ambasadat dhe shumë partnerë institucionalë e të shoqërisë civile, duke dëshmuar përkushtimin e gjerë dhe të bashkuar për parandalimin dhe përballjen me dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Përballë shqetësimit në rritje për shtimin e rasteve të raportuara të dhunës me bazë gjinore dhe të femicideve në Maqedoninë e Veriut, fushata thekson se çdo raportim i dhunës duhet të pasohet nga një reagim i shpejtë, i koordinuar dhe i përqendruar te personi që i ka mbijetuar dhunës. Ajo bën thirrje për zbatim më të fuqishëm të ligjeve ekzistuese, zgjerim të shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat, masa efektive mbrojtjeje dhe më shumë përgjegjësi për kryerësit e dhunës. Njëkohësisht, theksohet rëndësia e parandalimit përmes edukimit, ndërgjegjësimit të publikut dhe tejkalimit të stereotipeve të dëmshme gjinore.

Mbi të gjitha, fushata e këtij viti nënvizon se t’i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave është përgjegjësi e përbashkët që kërkon veprim nga institucionet, komunitetet, punonjësit e arsimit, mediat, familjet dhe të rinjtë.

“Rastet e fundit të dhunës ndaj grave në Maqedoninë e Veriut janë një kujtesë e dhimbshme se, si shoqëri, duhet të bëjmë më shumë. Institucionet duhet t’i mbrojnë viktimat dhe t’i mbajnë kryerësit përgjegjës, por duhet edhe t’i ndryshojmë qëndrimet që e normalizojnë dhunën, i fajësojnë viktimat ose nxisin heshtjen. Dhuna ndaj grave nuk është kurrë çështje private. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm përkrah çdo gruaje dhe vajze, jo vetëm gjatë këtyre 16 Ditëve të Aktivizmit, por çdo ditë”, deklaroi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.

“Kur gratë dhe vajzat përjetojnë dhunë, ato duhet të dinë se ku mund të kërkojnë ndihmë, si ta raportojnë dhunën dhe çfarë do të ndodhë më pas. Kur flasin, ato duhet të merren seriozisht dhe të kenë qasje në mbështetjen dhe mbrojtjen që u nevojitet. Institucionet, shoqëria civile, komunitetet dhe partnerët ndërkombëtarë kanë rolin e tyre. Duke punuar së bashku, mund ta forcojmë parandalimin e dhunës dhe ta përmirësojmë qasjen në shërbime dhe drejtësi. Fushata “16 Ditë Aktivizëm” do të përfundojë. Përgjegjësia jonë për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk përfundon”, deklaroi Susan Penksa, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit të OSBE-së në Shkup.

Sipas Rita Kolumbias, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, dhuna ndaj grave dhe vajzave në vend nuk është as çështje private, as e pashmangshme. Ajo mund të marrë fund, por vetëm nëse reagojmë me urgjencën që kërkon.

“Fushata “16 Ditë Aktivizëm” është një mundësi për të shqyrtuar me sinqeritet se çfarë kemi bërë si shoqëri për t’i mbrojtur gratë dhe fëmijët nga dhuna. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, komuniteteve, familjeve dhe individëve të veprojnë, të dëgjojnë dhe të sigurojnë që asnjë grua apo vajzë të mos mbetet pa mbrojtje. Së bashku mund t’i japim fund dhunës”, deklaroi Kolumbia.

Gjatë 16 ditëve të ardhshme, në mbarë vendin do të zhvillohen një sërë ngjarjesh publike, diskutimesh dhe aktivitetesh për ndërgjegjësimin e publikut, me qëllim promovimin e tolerancës zero ndaj të gjitha formave të dhunës.

Fushata zgjat nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, duke iu bashkuar lëvizjes globale për të siguruar që çdo grua dhe vajzë të mund të jetojë e lirë nga dhuna, diskriminimi dhe frika.

Ndryshe, se sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në Shkup do të mbahet marsh protestues kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave. Marshi do të nisë në orën 17:00 nga parku “Gruaja Luftëtare” dhe do të përfundojë para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.