Në Maqedoninë e Veriut edhe një muaj do të vlen vendimi për ngrirjen e çmimeve te pemët dhe perimet
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se vendimi për ngrirjen e çmimeve të pemëve dhe perimeve do të vlejë deri më 31 maj, transmeton Portalb.mk.
“Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e sotme ka marrë Vendim që për një muaj të vazhdohet afati i Vendimit për përcaktimin e çmimeve më të larta të pemëve dhe perimeve në tregtinë me shumicë dhe pakicë”, raportoi Ministria e Ekonomisë.
Ministria shpalosi çmimet e produkteve për tregun me pakicë:
– deri në 95 denarë për kilogram domate të freskëta,
– deri në 95 denarë për kilogram tranguj të freskët,
– deri në 70 denarë për kilogram qepë,
– deri në 100 denarë për kilogram speca të gjelbër të freskët,
– deri në 95 denarë për kilogram fasule,
– deri në 110 denarë për kilogram thjerrëza,
– deri në 75 denarë për kilogram banane,
– deri në 60 denarë për kilogram portokall,
– deri në 65 denarë për kilogram mandarina dhe
– deri në 60 denarë për kilogram limon.
Para dy ditësh, përmes një konference të përbashkët për shtyp nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe ministri i Ekonomisë, u bë e ditur se për tregun me shumicë “Kvantashki”, për importuesit e frutave dhe perimeve, si dhe për subjektet e tregtisë me pakicë janë lëshuar urdhra kundërvajtjeje, ndërsa për subjektet tregtare që rezultojnë se kanë shmangur pagesën e detyrimeve ndaj shtetit, do të vijojnë kallëzime penale.
Ndryshe, Qeveria me 25 prill vendosi që marzha e çmimeve të produkteve ushqimore do të jetë e ngrirë deri më 30 qershor të këtij viti.
Qeveria më 28 shkurt miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë. Ndërsa, nga 16 marsi hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit. Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.
- LEXO: RMV, kallëzime penale kundër tregtarëve të pemëve dhe perimeve pasi iu shmangën tatimit
- LEXO: Në tregun “Kvantashki” janë sekuestruar mbi 15 ton pemë dhe perime, Qeveria paralajmëroi padi penale
- LEXO: Qeveria e Maqedonisë së Veriut e vazhdoi afatin për çmimet e ngrira