Ethet e polenit mund të shkaktojnë alergji të tjera

Ethet e polenit (riniti alergjik) mund të shkaktojnë reaksion alergjik ndaj ushqimeve të tilla si frutat, perimet, arrat dhe bishtajoret. Gjegjësisht, besohet se një reaksion alergjik i shkaktuar nga ethet e polenit, i cili shpesh rezulton me acarim dhe inflamacion, kryesisht në hundë dhe sy, mund të shkaktojë sindromën e alergjisë orale (OAS), transmeton Panacea.

Sindroma e alergjisë orale mund të ndodhë kur trupi shfaq një reaksion alergjik ndaj substancave të tjera që janë të ngjashme me alergjenin bazë. Kjo ndodh sepse substanca të ndryshme përmbajnë alergjenë të ngjashëm dhe trupi zhvillon mbindjeshmëri ndaj tyre.

Ndërkaq, llogaritet se rreth 90% e personave me alergji ndaj polenit të mështekrës kanë edhe sindromën e alergjisë orale.

Duhet të përmendet, se në raste të rralla sindroma e alergjisë orale mund të çojë në anafilaksi, e cila është një reaksion alergjik i rëndë dhe potencialisht kërcënues për jetën. Simptomat e anafilaksisë përfshijnë vështirësi në frymëmarrje, presion të ulët të gjakut dhe humbje të vetëdijes.