RMV, pesë ligjet për reformimin e administratës dhe digjitalizim ende presin deputetët të caktojnë seancë në Kuvend

Pesë propozim-ligjet për reforma në administratën publike dhe transformim digjital të cilat janë miratuar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kanë kaluar leximin e parë në Kuvend, presin që të caktohen seancë për leximin e dytë në Komisionin për Çështje Evropiane, ku kryetar i Komisionit është Arbër Ademi. Ligjet janë dorëzuar në Kuvend me flamur evropian dhe janë me procedurë të shkurtër, njofton Portalb.mk.

15 janar, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu në seancë plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i prezantoi 5 propozim-ligjet, të cilat paraprakisht u miratuan në Qeveri, gjegjësisht Ligjin për nëpunësit administrative; Ligjin për të punësuarit në sektorin publik; Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transformim digjital; Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbimeve elektronike; dhe Ligjin për përkryerje profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ.

Pasi ligjet janë me procedurë të shkurtuar leximi i dytë dhe i tretë duhet të mbahen në mbledhjen e njëjtë, me ç’rast menjëherë fillon procedura e përcaktuar për lexim të dytë, ndërsa amendamentet mund të parashtrohen deri në fillim të mbledhjes për lexim të dytë.

Por, pavarësisht paralajmërimeve që sot do të fillohet me leximin e dytë, seanca ende nuk është caktuar. Portalb.mk, kontaktoi kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, por ai as u përgjigj në thirrjet tona telefona, e as na ktheu përgjigje në pyetjen tonë të dërguar nëpërmjet sms-porosisë.

Deputeten Arta Bilalli Zendeli, e cila është nënkryetare e Komisionit për Çështje Evropiane, për Portalb.mk, shkurt informoi se seanca pritet të caktohet javën e ardhshme.

“Për sot ishte plani, por besoj që prej të hënës do të caktohet seanca”, tha Bilalli Zendeli.

Në pyetjen nëse ka ndonjë bllokadë në Kuvend për këto ligje, deputetja tha se në dijeninë e saj nuk ka.

Ligjet në fjalë janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, por edhe për procesin eurointegrues të vendit, duke e pasur parasysh se për disa prej tyre, në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2023 është theksuar nevoja urgjente për t’u miratuar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar mori “karton të verdhë” apo notë 3 për fushën e reformave në administratën publike nga Komisioni Evropian. Shumica e ligjeve të shumëpritura me vite për çështjen e digjitalizimit, shërbimeve elektronike, meritokracinë, punësimet, u finalizuan dhe miratuan në qeveri, por nuk janë votuar ende në Kuvendin i cili ka mandat deri në pranverë. Në udhëkryq ka mbetur ligji për drejtorë profesional, i cili do të duhet ta rregulloje procedurën që zgjedhja e udhëheqësve të bëhet sipas kritereve përkatëse dhe jo në bazë të koalicioneve mes partive.

Viti 2024 është vit i zgjedhjeve dhe nuk dihet se cila parti do të udhëheqë me resorin e MSHIA-së. Qasja ndaj reformave në administratës publike, do të varet edhe nga vullneti i partive se në çfarë drejtimi do t’i zhvillojnë ose jo reformat.