RMV, do të krijohen hub-e inventive digjitale në kuadër të programit Evropa Digjitale

Qeveria,  me propozim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për procesin e identifikimit të hub-eve inventive digjitale në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe i aprovoi qendrat e paraqitura për realizimin e thirrjes në kuadër të programit  Evropa Digjitale, transmeton Portalb.mk.

“Ky program për financim i BE-së është i fokusuar në afrimin e teknologjisë digjitale deri te bizneset, qytetarët dhe administrata publike dhe pritet të sigurojë financim strategjik, duke mbështetur projekte në pesë fusha kryesore: superkompjuterë, inteligjencë artificiale, siguri sajber, aftësi të avancuara digjitale dhe sigurimin e përdorimit të gjerë të teknologjive digjitale në ekonomi dhe shoqëri. Me  buxhetin e planifikuar total prej 7,5 miliardë euro (për të gjitha vendet), programi ka për qëllim të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike dhe të formësojë transformimin digjital të shoqërisë dhe ekonomisë, me përfitime për të gjithë, por veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Programi i Evropës Digjitale është pjesë e kornizës financiare shumëvjeçare 2021-2027”, njoftoi Qeveria.

Kujtojmë se, në korrik të vitit 2023, u nënshkrua Marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e vendit tonë në Programin “Evropa Digjitale”. Në kuadër të këtij programi, bizneset, administrata publike dhe organizatat e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë  do të kenë qasje në fondin prej 7.5 miliardë euro, për periudhën e viteve 2021-2027.