ASh Taravari: Ankimim si teatër pa efekt ligjor, pse Ziadin Sela mungoi në Kuvend dhe nuk votoi kundër ligjit? 

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit reagoi ndaj ankimimit dhe deklaratës nga kreu i Aleancës tjetër për Shqiptarët Ziadin Selës për sistemin Qyteti i Sigurt, raporton Portalb.mk

Ndonëse Aleanca për Shqiptarët e Taravarit javën e kaluar njoftuan se dot do ta ankimonin ligjin me të cilin hyn në fuqi sistemi Qyteti i Sigurt, Aleanca e Selës u tregua më e shpejtë duke e ankimuar të njëjtën sot.

Nga ASh Taravari thonë se ajo që deputeti Ziadin Sela po e paraqet si “ankimim” të Ligjit “Safe City” në Gjykatën Kushtetuese, nuk është gjë tjetër veçse një nxitim për poentim politik, pas paralajmërimit publik të deputetëve të Aleancës për Shqiptarët se i njëjti ligj do të ankimohet sipas afateve dhe procedurave ligjore. 

“Ky veprim i Ziadin Selës nuk përbën procedurë juridike të vlefshme, por një akt të pastër teatri politik për konsum ditor. Është fakt juridik i pakontestueshëm se ankimi në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet vetëm pasi ligji të dekretohet nga Presidenti dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Çdo veprim para këtij momenti është juridikisht i pavlefshëm dhe pa asnjë efekt ligjor”, thanë nga ASh Taravari. 

Ata shtuan se mungesa e Ziadin Selës në seancën parlamentare dhe mosvotimi kundër ligjit, së bashku me njërin nga deputetët e tij, dëshmon qartë mungesë qëndrimi, përgjegjësie dhe koherence politike.

“Nuk mund të pretendosh se je kundër një ligji, ndërkohë që nuk merr pjesë në momentin vendimtar për ta ndaluar atë. Ky është profili i njohur politik i Ziadin Selës: as këndej, as andej; as kundër, as pro; gjithmonë në pritje të ndonjë “kapixhiku” të hapur për qeveri”, thanë nga ASh Taravari. 

Sot më heret, Ziadin Sela tha se kjo është temë serioze e cila nuk duhet të lihet në dorë të njerëzve joseriozë si Taravari.

“Kjo është temë tepër serioze për t’ia lënë në dorë një njeriu joserioz një njeriu që ndryshon qëndrimet pesë herë në ditë dhe pak rëndësi ka paralajmërimi, me rëndësi është a do ta bëjë një gjë të tillë, ne jemi skeptik, ne kemi bërë iniciativën tonë ndërsa e përsëris tema serioze nuk ju lihen njerëzve serioz”, tha Sela. 

Deputetët e Maqedonisë së Veriut më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.