Sa kushton të jesh student sot? Për shpenzimet, punën dhe bursat flasin Gajuri, Luisa dhe Lazi (Video)

Për të paguar qiranë, ushqimin dhe vetë studimet, shumë studentë kërkojnë punë. Por çfarë ndodh me mësimet kur një pjesë e ditës kalon në punë? Për Portalb.mk, Gajur Memeti kërkon bursa më të larta, ndërsa Luisa Residi thotë se shuma e bursës duhet të varet edhe nga gjendja ekonomike e studentit. Lazi Tefiki, i sapodiplomuar, vlerëson se ndihma për studentët ka mbetur në vend ndërkohë që çmimet janë rritur. Në anketën e Portalbit, 145 nga 173 studentët që morën pjesë thanë se nuk arrijnë t’i përballojnë shpenzimet mujore.

Gajur Memeti, student në ciklin e parë të studimeve për komunikim ndërkombëtar, thotë se vështirësitë nisin me shpenzimet e përditshme për banim dhe ushqim. Krahas tyre, ai thotë se studentët duhet të gjejnë para edhe për vetë studimet.

“Mendoj se studentëve u duhet më shumë përkrahje në këtë aspekt, sepse, paralelisht me studimet, ata po shikojnë për punë të ndryshme që të mund t’i mbulojnë këto harxhime dhe shpenzime që i hasin në përditshmëri”, thotë Gajuri.

Nga Ministria e Arsimit ai kërkon që “bursat të jenë më të larta dhe të shpërndahen në mënyrë të rregullt”.

Luisa Residi, studente e ciklit të dytë për financa, thotë se koston e jetës studentore e ndiejnë më shumë ata që nuk kanë mbështetjen e plotë të familjes. Përveç qirasë dhe ushqimit, ajo përmend edhe daljet, pjesë e jetës së një të riu. Kur studentëve u duhet të punojnë për t’i përballuar këto shpenzime, sipas saj, humbasin kohë si për mësimet, ashtu edhe për jetën jashtë fakultetit.

“Shumica e studentëve, për t’i përballuar këto kosto, punojnë, mirëpo i lënë anash mësimet e tyre. Kjo për ta është një pengesë profesionale. Është edhe një kompromis i madh për kohën që kanë për të kaluar bukur në këto vite që nuk kthehen më”, thotë Luisa.

Ajo merr si shembull vendet e Evropës Perëndimore dhe thotë se edhe këtu shteti duhet t’i shohë paratë që ndan për studentët si investim dhe jo si harxhim.

“Vendet që dëshirojnë të kenë zhvillim, patjetër duhet ta shohin rininë, duhet të investojnë tek ata. Jo vetëm subvencione studentore, por duhen edhe bursa të ndryshme financiare. Po ashtu, duhet të shohin mundësinë që t’i kategorizojnë bursat sipas nevojave të studentëve”, thotë ajo.

Lazi Tefiki, i sapodiplomuar në shkenca kompjuterike, e lidh nevojën për të punuar gjatë studimeve me hendekun mes ndihmës që marrin studentët dhe kostos së jetesës. Sipas tij, ndihmat kanë mbetur në të njëjtin nivel si para gjashtë apo shtatë vjetësh, ndonëse ndërkohë çmimet janë rritur.

“Edhe barra që bie mbi studentët është shumë e madhe, saqë studentët detyrohen që, në ndërkohë, edhe të punojnë, edhe t’i kryejnë studimet. Në një shtet evropian apo në një shtet tjetër, shteti i ndihmon gjatë studimeve”, thotë Lazi.

Lazi përmendi si shembull kreditë studentore në Shtetet e Bashkuara si një shembull se si mund të financohen studimet. Ai e njeh nga afër realitetin amerikan, pasi vetë gjatë dy sezoneve verore e ka shfrytëzuar programin puno dhe udhëto në SHBA.

Ndryshe, nga 173 studentët që morën pjesë në anketën e Portalb.mk 145  thonë se nuk i përballojnë shpenzimet mujore. 93 nga 173 pjesëmarrësit thanë se shpenzojnë mbi 15.000 denarë në muaj për jetesë dhe studime, ndërsa 120 e kanë familjen burim kryesor financimi. Gjatë studimeve punojnë 73 të anketuar. Edhe mes 22 studentëve që punojnë me orar të plotë, 17 thanë se nuk i mbulojnë dot shpenzimet mujore. Të pyetur se cila masë do t’i ndihmonte më shumë, 57 zgjodhën rritjen e subvencionit për ushqim dhe 47 kërkuan bursa më të larta.

Në storjen e radhës për standardin strudentor dhe ankesat e studentëve do të mund të ndiqni bisedën me përfaqësues nga parlamentet studentore në vend.

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.