Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi: Kuvendi vazhdon të partizojë Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi e konsideron se kandidatja Xhihan Ahmed për anëtare të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi nuk i plotëson kushtet për këtë pozitë, madje ata thonë se nominimi i saj është joserioz dhe poshtërues për disa arsye, raporton Portalb.mk.

Më 3 dhjetor 2025, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpalli konkurs publik për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD).

Më 20 janar 2026 u mbajt debati publik, ku 14 kandidatë patën mundësinë të prezantohen dhe të përgjigjen në pyetje.

Më 21 janar 2026, Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve i dorëzoi Kryetarit të Kuvendit propozim-vendim, me të cilin për anëtarë të KPMD-së i nominoi Limko Bejzaroski, Natasha Amdiu dhe Xhihan Ahmed.

Rrjeti e vlerëson nominimin e kandidates Xhihan Ahmed si të paserioz dhe poshtëruese për të gjithë qytetarët e vendit.

“Në kohën kur vazhdimisht flitet për partitizimin e institucioneve, Kuvendi vendos të emërojë persona jo kompetentë në një institucion që duhet të mbrojë kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve”, thonë nga Rrjeti.

Ata thonë se duke pasur parasysh që kandidatja është profesoreshë dhe punon në sektorin arsimor, i është bërë pyetje se si do t’i komentojë ndryshimet e fundit në dispozitat për parandalimin e diskriminimit në ligjet e arsimit, të cilat Komisioni Evropian i ka vlerësuar si të kundërta me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Nga prezantimi i saj u pa qartë se kandidateja nuk kishte njohuri për këto ndryshime dhe nuk ishte e vetëdijshme që Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi kishte reaguar ndaj këtyre ndryshimeve ligjore”, thanë nga Rrjeti.

Ata thonë se nga biografia e kandidates shihet se ajo ka punuar në një kompani private, si asistente në Universitetin Evropian dhe si profesoreshë në shkollë të mesme, ku si rrjedhojë, kandidatja nuk ka asnjë vit përvojë pune në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht në fushën e barazisë dhe parandalimit të diskriminimit.

“Rrjeti për mbrojtjen nga diskriminimi reagon ashpër ndaj propozimit që kandidateja Xhihan Ahmed të bëhet anëtare e KPMD dhe kërkon nga Kuvendi që të mos e emërojë, pasi ajo nuk i përmbush kushtet ligjore”, thanë nga Rrjeti.

Rrjeti kërkoi nga Kuvendi që të mos e zgjedhë kandidate, pasi ajo nuk i plotëson kushtet ligjore sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.