Kushtetuesja në Maqedoninë e Veriut do të vlerësojë “Qytetin e Sigurt”, u formuan dy lëndë për ndryshimet ligjore
Gjykata Kushtetuese ka ngritur dy lëndë pas iniciativave të paraqitura që kundërshtojnë ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtjet, në pjesën që lidhet me krijimin dhe funksionimin e sistemit elektronik të mbikëqyrjes së trafikut, i njohur në publik si projekti “Qyteti i Sigurt”, informoi gjykata, përcjell Portalb.mk.
Iniciativa e parë e pranuar u paraqit nga deputetët Ziadin Sela, Ilire Dauti dhe Elmi Aziri. Paditësi i nismës së dytë është Ylli Paçuku.
“Paditësit deklarojnë se e konsiderojnë të diskutueshme faktin që ky projekt u imponon një detyrim ligjor të gjithë qytetarëve që të kenë një numër personal telefoni, një adresë elektronike, në mënyrë që të komunikojnë dhe të jenë të disponueshëm në rast të një mesazhi të mundshëm shkeljeje. Përveç kësaj, pretendohet se është e diskutueshme që askund nuk përcaktohet që një mesazh telefonik ose komunikim elektronik duhet të jetë në përputhje me nenin 7 të Kushtetutës, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Gjithashtu thuhet se jo të gjithë qytetarët vendosen në të njëjtën pozitë, sepse sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, për të cilat pretendohet se popullsia shqiptare, e cila është në numër më të madh në këto territore, ndryshe nga qytetet e tjera në vend, vihet “nën thjerrëz”, informoi Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë se më 23 janar deputetët e Maqedonisë së Veriut miratuan ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin sistemi “Qyteti i Sigurt” hyn në fuqi më 1 shkurt.
Sipas partive në pushtet, ky sistem synon të rrisë sigurinë në trafik dhe deri në vitin 2030 të zvogëlojë numrin e aksidenteve. Deputetët e BDI-së dhe LSDM ishin kundër këtij ligji, duke thënë se ka shumë mangësi. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit, si dënimet e larta, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe dilemat për zbatim selektiv.
Kamerat “Qytet i Sigurt” janë të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10.
- LEXO: ‘Qyteti i Sigurt’ deri tani nuk e njeh gjuhën shqipe, flet vetëm maqedonisht
- LEXO: MPB-ja i publikoi gjobat e “Qytetit të Sigurt”, ja për çfarë dhe sa dënoheni (Infografik)
- LEXO: “Qyteti i Sigurt” do të dërgojë edhe fotografi, si do të paguhen gjobat?
- LEXO: Deputetët i votuan ndryshimet, Qyteti i Sigurt do të fillojë të zbatohet nga 1 shkurti