Aleanca për Shqiptarët mbetet te Arben Taravari
Gjykata e Apelit në Gostivar, me aktvendimin e 13 nëntorit 2026, e ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës, duke përmbyllur procedurën gjyqësore disavjeçare lidhur me Aleancën për Shqiptarët. Kështu ka njoftuar partia e udhëhequr nga Taravari, raporton Portalb.mk.
Nga aty thonë se me këtë vendim konfirmohet legjitimiteti juridik i Arben Taravarit si kryetar i Aleancës për Shqiptarët, si dhe ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin e IV-të të Jashtëzakonshëm të partisë.
“Përmbyllja e këtij procesi shënon një kapitull të ri për Aleancën për Shqiptarët, me fokus në organizimin, konsolidimin dhe veprimtarinë e saj politike. Aleanca për Shqiptarët u takon anëtarëve dhe aktivistëve të saj, të cilët ndër vite, me punë dhe përkushtim, e kanë ndërtuar këtë subjekt politik”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Kronologjia e procesit gjyqësor
Procesi gjyqësor nisi për shkak të asaj se kujt i takojnë vulat e partisë, Arben Taravarit apo Ziadin Selës dhe cili është kryetar legjitim i saj.
Fillimisht Gjykata e Tetovës në 2024 vendosi që vulat e partisë t’i takojnë Ziadin Selës por krahu i Taravarit e ankimoi vendimin në Apel.
Shkalla e dytë e ktheu lëndën në rigjykim. Në shkurt të vitit 2025, për herë të dytë Gjykata vendosi se kryetar legjitim i Aleancës është Ziadin Sela por edhe këtë vendim e ankimuan nga krahu i Taravarit. Apeli sërish e riktheu në rigjykim.
Më pas në mars të vitit 2026 Gjykata e Tetovës vendosi se kryetar legjitim mbetet Arben Taravari. Ky vendim u ankimua sërish.
Ndërsa në vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit u konfirmua vendimi i Gjykatës së Tetovës, sipas së cilës Arben Taravari mbetet kryetar i partisë.
Si u përça Aleanca?
Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.
Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa Sela me Frontin Evropian.
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale 2025.
ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian), pjesë e së cilës ishte edhe Ziadin Sela.
Në ndërkohë gjatë rrugës u krijua edhe grupi i tretë i Aleancës i prirë nga Arben Fetai, i cili qëndroi në VLEN. Më pas, Fetai u largua për në Bruksel ku u emërua i dërguar special për BE-në. Ndërsa në kryesinë e VLEN-it nga Aleanca mbeti deputetja Mimoza Musa.
Nga ana tjetër, Ziadin Sela ka formuar partinë e re “Lidhja Shqiptare”, kryetar i së cilës u zgjodh në kongresin e mbajtur më 31 maj 2026. Sela së bashku me deputetët Ilire Dauti dhe Elmi Aziri, pas zgjedhjeve lokale t vitit 2025 e kanë braktisur koalicionin me BDI-në.
- LEXO: Gjykata e Tetovës vendosi për fatin e ASH-së: Taravari kryetar legjitim i partisë (Dokument)
- LEXO: Një Aleancë për Shqiptarët, dy fronte: Procesi për vulat ende në gjykatë, dy grupet në “luftë” me njëra tjetrën
- LEXO: Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim lëndën për vulat e Aleancës për Shqiptarët
- LEXO: Një Aleancë për Shqiptarët me dy fronte dhe një vendim gjykate: Vijuan përplasjet midis dy grupeve