ASh Sela dorëzoi nismë në Gjykatën Kushtetuese kundër sistemit ‘Qyteti i Sigurt’: Nuk mund të zbatohet vetëm në disa zona
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nismë kundër sistemit ‘Qyteti i Sigurt’. Sipas tyre, zbatimi është diskriminues dhe në kundërshtim me kushtetutën, raporton Portalb.mk.
Sela tha se procedura për implementimin e këtij ligji që përshin gati të gjithë qytetarët e RMV-së nuk duhej të kalonte me procedurë të shpejtë dhe pa debat publik.
“Ne jemi për siguri të qytetarëve, nuk ka asnjë dilemë por jemi për sigurinë e qytetarëve në shumë dimensione, edhe në dimensionin social, edhe në dimensionin e infrastrukturës por edhe në dimensionin e implementimit të ligjit në të gjithë territorin e RMV-së, përpara kushtetutës qytetarët duhet të jenë të barabartë”, tha Sela.
Ai tha se nuk mund të ndahet implementimi i këtij projekti me zona të caktuara, 1ë sipas tij, kjo ndarje të bën të dyshosh që ka për qëllim zhvatjen e një kategorie të qytetarëve.
“Brenda Shkupit janë të koncentruara sidomos në çair dhe sidomos në vendet ku infrastruktura horizontale dhe vertikale të shenjave të komunilacionit lë shumë për të dëshiruar”, tha Sela.
Mes tjerash ai tha se nuk respektohet kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe ligji hap shumë dilema tjera që duhej të ishin sqaruar para se të kalonte ligji.
“Presim që epilogu dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë sa më i shpejtë, sepse me datë 1 nis implementimi i ligjit dhe ne vlerësojmë që duhet sa më shpejtë të merr qëndrim që të mos fillojë dhe mos goditet mbi xhepin e qytetarëve”, tha Sela.
Nismë të tillë pati paralajmëruar edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.