Qyteti i Sigurt: ASh-ja e Taravarit do ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese
Pasi Kuvendi i RMV-së sot i miratoi ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti “Safe City”, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit thotë se do ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, transmeton Portalb.mk.
ASh-ja thotë se zbatimi aktual i këtij projekti ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese.
“Zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë është i padrejtë dhe diskriminues. Një projekt që pretendohet se rrit sigurinë publike duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e shtetit, e jo në mënyrë të pjesshme dhe selektive”, thanë nga ASh Taravari.
Aleanca për Shqiptarët njoftoi se gjatë ditës së hënë do ta ankimojë Ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetët e Maqedonisë së Veriut sot votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.
Gjithsej votuan 100 deputetë, 81 “për” dhe 19 “kundër.
“Konstatoj se Kuvendi e miratoi Ligjin për ndryshime dhe plotësimin e Ligjit për Kundërvajtje “, tha Gashi.
Amendamentet u shqyrtuan dhe u votuan me procedurë të shkurtuar.
Por votuan deputetët e VMRO–DPMNE, VLEN, ZNAM, Levica dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri
Deputetët e BDI-së dhe LSDM-së ishin kundër.
Ndryshe, kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.