Ambasadori holandez në RMV: Taksapaguesit tanë ju japin para, ndërsa këtu gjithçka ka ngecur për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit
Ambasadori holandez Dirk Jan Kopp thotë se nuk ka vullnet të vërtetë politik për ndryshim në vend dhe se për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit të gjitha proceset janë bllokuar. Kopp e deklaroi këtë në hapjen e Konferencës së Dytë Rajonale të Ekspertëve për Vlerat Themelore të Klasterit 1 në kuadër të projektit “Drejtësia të sundojë rajonin” në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Të gjitha shtetet e tjera anëtare brenda 10 deri në 15 vjet arritën të bëjnë reformat e nevojshme dhe të bëhen anëtarë të BE-së. Çfarë bëni ju, përveçse bëni justifikime për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit? Pse nuk i përfunduat reformat tuaja 15 vjet më parë si këto vende të tjera? Dëgjoj se është faji i Bashkimit Evropian që anëtarësimi është një përgjegjësi e përbashkët dhe se po ju mbajmë në pritje për një kohë të gjatë. E vërteta është se anëtarësimi është përgjegjësia juaj dhe ju po na mbani në pritje shumë gjatë. Pas dekadash mbështetjeje të jashtëzakonshme, ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve tanë? Pas gjithë këtyre viteve ka një strategji për gjithçka, ka dy plane veprimi për gjithçka, ndërgjegjësimi i të gjithëve tashmë është trefishuar dhe të gjithë tashmë janë trajnuar katër herë. Megjithatë, gjithçka ka ngecur për shkak të mungesës së zbatimit, korrupsionit dhe nepotizmit. Me fjalë të thjeshta, nuk ka vullnet të vërtetë politik për ndryshim jo vetëm në politikë, por edhe në komunitetet fetare që bllokojnë ndryshimet dhe bllokojnë Konventën e Stambollit. Dhe cili është mesazhi për ne? Mesazhi është se ne duam paratë tuaja, por nuk duam vlerat tuaja”, tha ambasadori Kopp.
Ambasadori theksoi se Holanda ishte dhe do të vazhdojë të jetë partnere e rajonit në rrugën drejt BE-së dhe se rajoni nuk ka alternativë tjetër veç të ecë përpara drejt BE-së.
“Një alternativë tjetër është krijimi i një grupi vendesh të varfra në 20 vjet me fshatra bosh, me vende bosh ku do të mbeten vetëm të moshuarit, ndërsa pjesa tjetër do të emigrojë. Shenjat janë këtu. Kjo nuk është një përrallë. Konteksti i sotëm gjeopolitik është të paktën kompleks, por ndikimi i tij relativisht i vogël në rajon nuk mund të përdoret përsëri si një justifikim për të mos ecur përpara. Ecja përpara mund të arrihet vetëm nëse ka sundim të ligjit, demokraci dhe respekt për të drejtat e njeriut”, tha Kopp.
Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet.
Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
- LEXO: Kovaçevski – Sholc: RMV të vazhdojë rrugën e saj evropiane, kemi inkurajim dhe mbështetje të fuqishme nga Gjermania
- LEXO: Kovaçevski-Varheji: RMV duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e BE-së, procesi i integrimit evropian pritet të vazhdojë
- LEXO: Mariçiq: Jemi afër qëllimit, BE punon për përshpejtim real të procesit të anëtarësimit
- LEXO: Gir: Miratimi i ndryshimeve kushtetuese do të nënkuptojë përparimin e vendit drejt BE-së, pa vendime shtesë