Dezinformatat në shëndetësi mund të na kushtojnë jetë, vaksinat janë mbrojtja më e mirë nga sëmundjet ngjitëse

Lajme të rreme dhe dezinformata ka në çdo segment të shoqërisë, por dezinformatat që kanë të bëjnë me shëndetin mund të paraqesin rrezik për jetën. Për këtë arsye është e nevojshme të ngrihet niveli i edukimit shëndetësor te popullata dhe të dihet se një numër i madh i sëmundjeve parandalohen pikërisht për shkak të vaksinimit, shkruan Meta.mk.

Janë këto përfundimet e brifingut të sotëm me gazetarët në temën “Vaksinimi i rregullt i fëmijëve – fakte dhe dezinformata”, në të cilin folës ishin Patrizia DiGiovanni, përfaqësuese e UNICEF-it, D-r. spec. Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i Komisionit për Sëmundjet Ngjitëse, Prof. d-r Aleksandra Grozdanova, kryetare e Komisionit të Imunizimit dhe Bojan Kordallov, specialist i komunikimit.

“Sëmundjet janë vënë nën kontroll falë vaksinimit. Kah fundi i vitit 2018 dhe fillimit të vitit 2019 patëm epidemi të fruthit. Atëkohë mbulimi me vaksinim ra në 74 përqind dhe ishte vetëm çështje kohe se kur do të shfaqej sëmundja. Kishim katër raste të vdekjes dhe 1.900 të sëmurë. Atë vit kemi dhënë 41.623 doza të vaksinave për fëmijët deri në 14 vjeç. Po të kishte ndonjë lidhshmëri midis vaksinës dhe autizmit deri më tani do të kishim zbuluar ndonjë rast. Pra, vaksina është plotësisht e sigurt”, tha Prof. Grozdanova.

Ajo theksoi se në vendin tonë nuk ka antivakserë klasik, por prindër të hutuar që nuk kanë informacion. Grozdanova rikujtoi se të gjitha informacionet lidhur me imunizimin janë të disponueshme në uebfaqen e-zdravstvo.mk.

Brifingu me gazetarët në temën “Vaksinimi i rregullt i fëmijëve – fakte dhe dezinformata”. Foto: Meta.mk
Brifingu me gazetarët në temën “Vaksinimi i rregullt i fëmijëve – fakte dhe dezinformata”. Foto: Meta.mk

“Të gjitha informacionet që janë objekt spekulimi mund t’i gjeni në këtë portal. Vaksinimi është intervenimi më i vjetër mjekësor. Ne, për shembull, në vendin tonë kemi polio, por kemi mbulim të mirë me vaksinim. Nëse mbulimi bëhet më i vogël, atëherë shfaqet sëmundja”, shpjegoi profesoresha.

Ajo gjithashtu tha se kur një person udhëton, për shembull, në Maldive, nuk diskutohet për cilësinë e vaksinës kundër etheve të verdha, e as kur studentët tanë duhet të shkojnë në vende ku imunizimi me disa vaksina është i detyrueshëm.

Profesoresha thotë se kalendari i imunizimit nuk ekziston më kot dhe se çdo dozë vaksine duhet marrë në moshën e caktuar pa vonesa për arsye të ndryshme.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, DiGiovanni, tha se falë vaksinave sëmundjet e rënda sot nuk paraqesin rrezik për njerëzimin.

“Por ato përsëri ekzistojnë. Në vende të tjera kam parë njerëz që vuajnë nga sëmundje që mund të ishin parandaluar me vaksinim. Ky vend ka një traditë shumë të mirë kur bëhet fjalë për imunizimin e fëmijëve, megjithatë infodemia i pengon prindërit të vaksinojnë fëmijët e tyre,” tha DiGiovanni.

Doktor Mehmedoviq informoi se në vend nuk ka vaksinë që ka mbulim më të ulët se 50 përqind.

“Kjo është kështu sepse popullata është e vetëdijshme për përfitimet që sjell vaksinimi. Kemi rajone dhe qytete ku mbulimi është mbi 90 përqind. Spektri i autizmit tek fëmijët nuk ka të bëjë me vaksinën MMR, këtë gjë e mbështet vetë shkenca. E njëjta gjë vlen edhe për pretendimin se vaksina kundër HPV-së shkakton sterilitet. Ne nuk kemi regjistruar asnjë rast të tillë”, tha Mehmedoviq.

Brifingu me gazetarët në temën “Vaksinimi i rregullt i fëmijëve – fakte dhe dezinformata”. Foto: Meta.mk
Brifingu me gazetarët në temën “Vaksinimi i rregullt i fëmijëve – fakte dhe dezinformata”. Foto: Meta.mk

Ai tha se kontinentit evropian i kanosen tre sëmundje, dhe atë pertusis, difteria dhe fruthi.

“Nëse do të kemi raste varet nga shkalla e vaksinimit, nga ndërgjegjësimi i prindërve për domosdoshmërinë e vaksinimit të fëmijëve. Të mos harrojmë se në të kaluarën kemi pasur raste të vdekjes, të mos lejojmë që të mësojmë përsëri në mënyrën e vështirë”, theksoi Mehmedoviq.

Ai theksoi edhe se me vaksinat popullata mbrohet nga format e rënda të sëmundjeve dhe vdekja.

Komunikologu Kordallov theksoi dëmin që e shkaktojnë dezinformatat lidhur me vaksinimin dhe tha se mosbesimi i njerëzve ndaj mjekëve mund të ndikojë që ata të mos shkojnë te mjeku ose të mos e marrin terapinë e dhënë.

“E vërteta shkencore është një, ajo krijohet në bazë të fakteve. Prandaj është e domosdoshme që të udhëhiqemi nga shkenca”, tha Kordallov.

Eventi u organizua nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis në kuadër të projektit Parandalimi dhe reagimi ndaj Covid-19 në Maqedoninë e Veriut, i financuar nga populli amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe me mbështetje nga Fondi i Fëmijëve pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.