LSDM: Shporta minimale sindikale në nëntor arriti në 70.827 denarë, Qeveria nuk po ndërmerr masa për uljen e çmimeve

Nga partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kanë reaguar lidhur me rritjen e shpenzimeve të jetesës, duke akuzuar Qeverinë se nuk po ndërmerr masa për uljen e çmimeve dhe mbështetjen e qytetarëve. Sipas LSDM-së, rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës po e rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin familjar dhe po e ul standardin jetësor, shkruan Portalb.mk.

Nga kjo parti thonë se shporta minimale sindikale në muajin nëntor ka arritur në 70.827 denarë, që është për 469 denarë më shumë në krahasim me muajin paraprak. Nëse llogariten edhe shpenzimet për qiranë e banesës, siç shtojnë ata, vlera e shportës tejkalon 90.000 denarë.

Sipas LSDM-së, vetëm për ushqim dhe pije një familjeje i nevojiten rreth 26.000 denarë në muaj, ndërsa pagat nuk e ndjekin rritjen e çmimeve.

Nga partia opozitare paralajmërojnë edhe për shtrenjtimin e paralajmëruar të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore nga fillimi i vitit 2027, të cilat, sipas tyre, do ta rëndojnë edhe më shumë buxhetin familjar.

“Në vend të masave konkrete dhe zgjidhjeve për uljen e çmimeve dhe ndihmën ndaj kategorive të cenueshme, Qeveria e Mickoskit nuk bën asgjë, qytetarët janë lënë të përballen vetë me shpenzimet në rritje dhe jetesën gjithnjë e më të vështirë”, thuhet në komunikatën e partisë.

Nga LSDM-ja e kritikojnë Qeverinë edhe për refuzimin e rritjes së pagës minimale në 600 euro, si dhe për mbështetjen e pamjaftueshme financiare për bujqit dhe studentët.

Sipas kësaj partie, paratë po shpenzohen për tenderë, në vend që të përdoren për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

“Para ka vetëm për tenderë”, shtojnë nga LSDM-ja.

Në reagimin e saj, LSDM-ja i referohet edhe huamarrjes së shtetit, duke pretenduar se brenda dy vjetësh janë krijuar borxhe prej katër miliardë eurosh, ndërsa për vitin 2027 janë paralajmëruar edhe dy miliardë euro borxhe shtesë, të cilat, sipas partisë, do të jenë barrë për gjeneratat e ardhshme.

“Qeveria e Mickoskit po i varfëron qytetarët, ndërsa po grumbullon borxhe të reja në kurriz të gjeneratave të ardhshme. Katër miliardë euro për dy vjet dhe edhe dy miliardë euro borxhe të reja për vitin 2027, të cilat janë paralajmëruar”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.