Çka me paratë e “bllokuara” në Alta Bankë? Tre administratorë brenda 21 ditësh duhet të përcaktojnë gjendjen

Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska janë emëruar administratorë të Alta Bankës SHA Manastir. Ata marrin kompetencat e Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe të Kuvendit të Aksionarëve, me përjashtim të vendimmarrjes për rritjen e kapitalit. Andovski është autorizuar posaçërisht që të nënshkruajë vendimet gjatë periudhës së administrimit, transmeton Portalb.mk.

Vendimi për emërimin e administratorëve është publikuar dje në “Gazetën Zyrtare”, ku thuhet se anëtarët e Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Drejtues, si dhe personat e tjerë me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta në Bankë, janë të obliguar t’u mundësojnë administratorëve qasje në të gjithë dokumentacionin e Bankës dhe t’u dorëzojnë të gjitha informacionet e nevojshme dhe raportet shtesë për punën e Bankës.

Siç thuhet në publikimin e “Gazetës Zyrtare”, gjatë ushtrimit të kompetencave të përcaktuara në përputhje me Ligjin për Bankat dhe këtë vendim, administratorët kanë qasje dhe kontroll mbi hapësirat afariste, pronën, librat tregtarë dhe të gjithë dokumentacionin e Alta Bankës SHA Manastir. Ata janë të obliguar të ndërmarrin aktivitete për mbrojtjen e pronës dhe dokumentacionit të bankës.

“Nëse administratorët, në çfarëdo mënyre, pengohen të hyjnë në hapësirat afariste të Alta Bankës SHA Manastir, qasja do të sigurohet me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Administratorët kanë të drejtë të largojnë çdo person që pengon punën e tyre dhe, kur është e nevojshme, mund të kërkojnë ndihmë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në publikim.

Për pensionistët dhe të punësuarit që marrin pagat dhe pensionet në llogaritë e tyre në Alta Bankën SHA Manastir, pyetja më e rëndësishme është se kur do të mund t’i përdorin lirshëm paratë e tyre. Për kompanitë që kanë mjete në llogaritë e kësaj banke, pyetjet kryesore janë se si do të paguajnë për shërbimet dhe materialet e blera, faturat dhe pagat e punonjësve.

Ndërsa këta qytetarë presin përgjigje nga Banka Popullore (BP), e cila ua kufizoi qasjen në paratë e tyre për shkak të procedurës së falimentimit të Alta Bankës në Beograd, institucionet, përmes porosive të brendshme, i kanë njoftuar punonjësit administrativë që deri më 3 nëntor të hapin llogari në banka të tjera, në mënyrë që pagat t’u transferohen në llogaritë e reja.

Sllaveski, në një intervistë në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, tha se po përgatitet një listë e qytetarëve që nuk kanë kartela bankare, mes të cilëve janë rreth 3.500 pensionistë.

“Vendimin do ta ndryshojmë vetëm për ta, për arsye logjistike, përkatësisht që të mos kenë nevojë të vijnë më shpesh dhe të mund të tërheqin një shumë më të madhe. Për shembull, me një vizitë në sportel të mund të tërheqin 20.000 denarë, shumë kjo që do t’u mjaftonte për dy javë”, tha Sllaveski.

Sllaveski tha se shuma prej 10.000 denarësh në javë është përcaktuar në bazë të lartësisë së pagës mesatare dhe pensionit mesatar në vend. Për kompanitë janë mundësuar pagesat e brendshme brenda bankës, ndërsa transferimi i mjeteve jashtë saj është i kufizuar.

“Në nëntor do të kenë pesë mundësi për të tërhequr nga 10.000 denarë. Kjo është gjithsej 50.000 denarë. Kjo është më se e mjaftueshme, sepse kemi një situatë të jashtëzakonshme”, tha guvernatori i Bankës Popullore, duke u bërë thirrje qytetarëve të jenë të durueshëm derisa të tejkalohet kjo situatë.

Megjithatë, Sllaveski nuk u përgjigj se nga kur do të llogaritet një javë, për shembull, apo çfarë do të ndodhë me urdhërpagesat e përhershme të qytetarëve në bankë. Guvernatori përsëriti se kreditë duhet të paguhen, por si do të bëhet kjo kur sportelet e degëve nuk punojnë gjatë gjithë javës dhe bankingu elektronik nuk funksionon? A do të llogaritet kamatëvonesë për pagesat me vonesë? Çfarë do të ndodhë me detyrimet ndaj shtetit apo ndërmarrjeve publike që e tejkalojnë limitin prej 10.000 denarësh, siç janë shpenzimet e shërbimeve komunale?

Një pjesë e qytetarëve thonë se me kartelat e Alta Bankës po luajnë një lloj lotarie, pasi nuk e dinë se në cilin dyqan do t’u pranohen dhe në cilin jo. Kjo për shkak se nuk kanë informacione se cilat biznese kanë llogari në cilën bankë, si pasojë e kufizimit të qarkullimit të parave brenda llogarive të transaksioneve në Alta Bankë.

“Mu pranua kartela në një butik, më duhej të blija pizhame për fëmijën, por nuk m’u pranua në market. Kështu u ndjeva në siklet kur m’u desh ta ktheja shportën, sepse nuk mund të paguaja”, thotë 56-vjeçarja nga Shkupi, Suzana Simonovska, për “Kolegium.mk”.

Me probleme të ngjashme përballen edhe kompanitë, të cilat në këtë situatë nuk mund t’i kryejnë pagesat e domosdoshme për faturat.

“Firma ime ka para të mjaftueshme në llogari, por nuk mund ta përmbushë një detyrim të dakorduar. Kush do t’i shqyrtojë raste të tilla dhe kush do t’i bartë penalitetet eventuale dhe shpenzimet shtesë që do të më llogariten për vonesën e mundshme?”, pyet Zoran Trajçevski, i cili ka një biznes të vogël me pajisje ngrohëse.

Më herët, të dielën, Banka Popullore mori vendim për marrjen nën administrim të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, në kohëzgjatje prej tre muajsh. Vendimi u mor për shkak të rrethanave që mund ta rrezikojnë seriozisht aftësinë paguese të bankës dhe kapacitetin e saj për t’i përmbushur me kohë detyrimet financiare të marra përsipër.

Administratorët kanë afat prej 21 ditësh për të përcaktuar gjendjen e plotë dhe për të dorëzuar një raport të detajuar te Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore. Ndërkohë, ata do të kontrollojnë dhe miratojnë çdo pagesë të shpenzimeve operative dhe administrative.

Gjatë periudhës së administrimit janë vendosur kufizime për daljen e mjeteve financiare. Për personat fizikë është përcaktuar një limit javor prej 10.000 denarësh për tërheqje të parave të gatshme dhe pagesa te tregtarët me kartelat e lëshuara nga banka. Pagesat e brendshme nga llogaritë e personave fizikë drejt llogarive të tjera në të njëjtën bankë mbeten të mundshme pa kufizim të shumës.

Për personat juridikë janë mundësuar pagesat e brendshme pa kufizime drejt llogarive të tjera në bankë, por janë ndërprerë plotësisht transferet e mjeteve jashtë bankës përmes sistemeve kombëtare të pagesave, si dhe tërheqja e parave të gatshme nga bankomatët ose sportelet.

Pranimet e mjeteve nga jashtë përmes sistemit SEPA do të zhvillohen pa pengesa, ndërsa të gjitha pagesat dalëse drejt jashtë vendit përkohësisht nuk do të jenë të disponueshme për asnjë klient.

Nga Banka Popullore kanë theksuar se depozitat e kursimeve të qytetarëve janë të siguruara ligjërisht përmes Fondit të Sigurimit të Depozitave deri në shumën prej 30.000 eurosh, ndërsa personat që kanë kredi kanë obligim të vazhdojnë rregullisht pagesën e kësteve të tyre.

Administrimi i përkohshëm do të zgjasë tre muaj, ndërsa Banka Popullore paralajmëron se do ta ndjekë vazhdimisht gjendjen dhe do t’i rishqyrtojë kufizimet në varësi të zhvillimit të ngjarjeve.

Guvernatori Trajko Sllaveski konfirmoi se tashmë është formuar një ekip prej shtatë të punësuarish, të cilët po e ndjekin punën e bankës. Sipas tij, pronari nga Beogradi është njoftuar që t’i nxjerrë aksionet në shitje dhe, nëse nuk e bën këtë, Banka Popullore do t’i ofrojë ato në ankand, duke vlerësuar se ka blerës të interesuar.

Nga Banka Popullore u bëjnë thirrje qytetarëve dhe klientëve që të informohen përmes burimeve zyrtare dhe të mos marrin vendime në bazë të informacioneve të paverifikuara. Ata theksojnë se tërheqja e panevojshme dhe masive e mjeteve nuk është në interes të depozituesve.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë vendosi të revokojë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë.

Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.

“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi BKS.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, brenda shtatë ditëve pune, do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe aksesin në fonde për depozituesit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të BKS-së.

Mediat serbe ndërkohë  raportuan se është arrestuar pronari i “Alta Bankës”, Davor Macura. Më herët, kontrolli në hapësirat e selisë qendrore të bankës në Beograd kishte zgjatur më shumë se 30 orë.

Ndryshe, LSDM-ja gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.

Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.

Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).

Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.

Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.