Reagoi Alta Banka dhe Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut pas zhvillimeve të fundit në Serbi
Shoqata Aksionare Alta Banka në Maqedoninë e Veriut ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Serbi, ku Banka Popullore e Serbisë e mbylli Alta Bankën në Serbi, transmeton Portalb.mk.
“Në kontekstin e zhvillimeve të fundit që lidhen me ALTA Bankën në Republikën e Serbisë, ALTA Banka Sh.A. Manastir informon publikun se Banka është një entitet juridik i pavarur, i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili vepron në përputhje me legjislacionin vendas dhe është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Alta Bankës në RMV.
Ata vlerësojnë se puna e bankës është stabile dhe pa pengesa, ndërsa klientët kanë qasje të pakufizuar në mjetet e tyre.
“Banka ka kapitalin, asetet dhe detyrimet e veta, dhe operacionet e saj janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Bankës Kombëtare”, deklaruan nga Alta Banka në Maqedoninë e Veriut.
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut gjithashtu ka reaguar pas zhvillimeve të sotme.
“Sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe elastik, dhe të gjitha bankat në vend janë nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë”, raportoi Banka Popullore e Maqedonisë, duke theksuar se Alta Banka është kompani e pavarur nga ajo në Serbi.
Ndryshe, Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë ka vendosur të marrë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë.
LSDM-ja gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.
Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.
Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).
Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.
Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
- LEXO: Kuzeska: Pas rënies së Vuçiqit, Alta Banka po transferon para në Maqedoni, Prokuroria të hapë menjëherë hetim
- LEXO: Rubios i kërkohen sanksione ndaj katër biznesmenëve serbë të afërt me Vuçiqin, aty përfshihet edhe Alta Bank
- LEXO: Banka serbe edhe zyrtarisht hyri në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Nga banka shqiptare te “ALTA Banka” serbe, si u harrua premtimi elektoral i “VLEN”-it?