Alta Bankës i merret leja e punës në Serbi, ajo vitin e kaluar e filloi punën edhe në Maqedoninë e Veriut

Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë ka vendosur të revokojë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë, raporton Fokus, përcjell Portalb.mk.

Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.

“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi BKS.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, brenda shtatë ditëve pune, do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe aksesin në fonde për depozituesit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të BKS-së.

Ndryshe, LSDM-ja para gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.

Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.

Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).

Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.

Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.