Ministrja premtoi prej sot rritje të rrogave për 12 përqind për të punësuarit në kulturë, Sindikata nuk i beson

Ministrja për Kulturë në Maqedoninë e Veriut, Bisera Kostadinovsksa Stojçevska ka premtuar që nga sot të punësuarit në kulturë do të kenë rroga për 12 përqind më të larta, duke filluar nga rroga e muajit mars. Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë nuk i beson, transmeton Portalb.mk.

“Si kemi premtuam, rrogat te të punësuarit e kulturës prej sot janë rritur për 12 përqind”, deklaroi ministrja Bisera Stojçevska.

Ajo theksoi që nga viti 2019, rrogat në sektorin e kulturës janë rritur për 52 përqind.

“A ti besohet një statusi në FB të Ministres së Kulturës. Më 1 prill të njëjtën e ka shkruar, sikur edhe sot, por RROGA NUK KA”, deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov.

Ai theksoi që nuk do të anulojë vendimin për protesta dhe grevë që është paralajmëruar prej dje, derisa nuk ka ndonjë dëshmi të shkruar për rrogat.

18 prill, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka vendosur që më 22 prill të proteston para objektit të Ministrisë për Kulturë në mbështetje të punëtorëve të kulturës.

Mbi 3,000 punonjës të institucioneve kulturore nuk kanë marrë rroga në muajin mars, pas disa ditëve do të ngelin edhe pa sigurim shëndetësor. Ata paralajmërojnë se nga e premtja (19.04) do të fillojnë me protesta që do të zgjasin deri sa nuk marrin rroga në përputhje me Kontratën e përgjithshme kolektive.