Zvarritet për mbi një vit, punimet për vazhdimin e Bllagoja Toskës në Tetovë pritet të fillojnë javën e ardhshme
Punimet për daljen e bulevardit “Bllagoja Toska” të Tetovës për në lagjen Drenovec po zvarriten mbi një vit për shkak të shpronësimit të disa pronave, ky problem sipas kreut të komunës është zgjidhur, ndërsa punimet pritet të fillojnë nga java e ardhshme, raporton Portalb.mk.
Shpronësimi i disa pronave ka penguar për mbi një vit hapjen e bulevardit, ndërsa ditëve të fundit është arritur marrëveshja me pronarin e fundit për shpronësim.
“Tani më përfundimisht kemi zgjidhur pengesat administrative, besoj në ditët në vijim do të behet eliminimi i dy objekteve që janë aty, me të cilët veç më kemi marrëveshje, në ndërkohë do t’i jepet urdhër operatorit ekonomik që nga java tjetër të përgatitet të vazhdojë punimet aty dhe për tu përmbyllur edhe ky projekt”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Sipas komunës, rruga pritet të përfundojë në muajin korrik.
Qytetarët nga ana tjetër vazhdimisht kanë kërkuar që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejtë.

Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.
Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores. Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.
Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj. Pavarësisht premtimeve nga autoritetet, në terren nuk u ndërmor asgjë me vite. Madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë.
Ndryshe, pavarësisht se qytetarët e kërkojnë, vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” nga pjesa te shkolla tekstile deri te rrethrrotullimi në bulevardin “Ilinden” apo i njohur ndryshe si te “Mema”, nuk do të sheh dritë këtë vit. Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, kjo pritet të bëhet në vitin 2026, kur nuk dihet nëse ai do të jetë ose jo në krye të këtij institucioni, pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.