Bllagoja Toskës në Tetovë nuk i shihet fundi, hapja zvarritet mbi një vit 

Punimet për daljen e bulevardit “Bllagoja Toska” të Tetovës për në lagjen Drenovec po zvarriten mbi një vit për shkak të shpronësimit të disa pronave, raporton Portalb.mk. 

Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë arritur marrëveshje me pronarët.

“Kemi në fund të zgjidhjes me marrëveshje me diku katër pronarë me të cilët në bazë të ligjit ne duhet të ua bëjmë pagesën para se t’i prishin objektet, jemi pajtuar që pagesa të bëhet me rata në periudhën që vjen dhe ata të prishin objektet, një që ka qenë objekti më i madh në trasenë e rrugës është prishur objekti, presim ditët në vijim të prishen edhe objektet tjera dhe kur të jetë traseja e lirë t’i japim operatorit urdhëresë për të vazhduar punimet”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 

Sipas komunës, rruga pritet të përfundojë në muajin korrik. 

Qytetarët nga ana tjetër vazhdimisht kanë kërkuar që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejtë. 

Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin "Bllagoja Toska" me rrugën rajonale Tetovë - Jazhincë në lagjen Drenovec. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin “Bllagoja Toska” me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë në lagjen Drenovec. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.

Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores. Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.

Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj. Pavarësisht premtimeve nga autoritetet, në terren nuk u ndërmor asgjë me vite. Madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë.

Ndryshe, pavarësisht se qytetarët e kërkojnë, vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” nga pjesa te shkolla tekstile deri te rrethrrotullimi në bulevardin “Ilinden” apo i njohur ndryshe si te “Mema”, nuk do të sheh dritë këtë vit. Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, kjo pritet të bëhet në vitin 2026, kur nuk dihet nëse ai do të jetë ose jo në krye të këtij institucioni, pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.