Vazhdimi i “Bllagoja Toskës” te Kazerma nuk u bë në 2023, Komuna e përzgjodhi kompaninë për kryerjen e punimeve

Pjesa e rrugës mbi Kazermën e Tetovës që lidh bulevardin “Bllagoja Toska” me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë në lagjen Drenovec nuk u asfaltua në vitin 2023 siç u paralajmërua në korrik të po të njëjtit vit. 2023-shi mbaroi ndërsa rruga mbeti në gjendjen e njëjtë si shumë dekada. Komuna e Tetovës së fundmi ka përzgjedhur kompaninë e cila do të bëjë punimet për të cilat nuk tregon se kur do fillojnë, shkruan Portalb.mk.

Rruga prej 450 metrave mbetet në gjendje kritike, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos ditëve të fundit kur pati edhe reshje të borës.

Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin "Bllagoja Toska" me rrugën rajonale Tetovë - Jazhincë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin “Bllagoja Toska” me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në ueb-faqen e prokurimeve publike qëndron se Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 ka përzgjedhur Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve.

Megjithatë, Komuna e Tetovës edhe pse e kontaktuar nga Portalb.mk në lidhje me fillimin e punimeve dhe mbarimin e të njëjtave, nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Ndërkaq banorët që jetojnë përreth kësaj rruge tani më me vite shprehen se janë të harruar nga autoritetet.

“Presim ndonjë lajm të mirë po nuk e di më a do bëhet ose jo sepse jemi lodhur duke pritur, gjendja sime shihni edhe vetë krejt baltë dhe gropa, me zor kalohet me veturë këndej”, tha në qytetar.

“Po tash para do kohe u tha kurse do ta rregullojnë së shpejti po se dimë edhe ne çka janë duke bërë, sa më shpejtë të bëhet aq më mirë për ne”, tha një tjetër qytetar.

Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin "Bllagoja Toska" me rrugën rajonale Tetovë - Jazhincë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin “Bllagoja Toska” me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë, nga komuna aso kohe u tha se asfaltimi i rrugës është në plan për vitin 2023. Ndërkaq në fillim të korrikut të vitit 2023 Sektori për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës theksoi se ishte në përfundim të projektit për këtë rrugë dhe se me punë planifikohej të fillohej pas muajit korrik-gusht. Por, kjo nuk u bë.