Pas pritjes me vite, filluan punimet për vazhdimin e “Bllagoja Toskës” nga Kazerma deri në lagjen Drenovec
Pas shumë viteve në pritje dhe deklaratave të papërmbushura të autoriteteve, sot filluan punimet për vazhdimin e Bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë, nga rrethrrotullimi mbi Kazermën e qytetit që del në lagjen “Drenovec” në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Punimet pritet të përfundojnë brenda tre muajve, shkruan Portalb.mk.
Rruga prej rreth 450 metrave është e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores. Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se punimet duhet të përmbyllen jo më shumë se brenda tre muajve.
“Është në vazhdën e realizimit të të gjithë atyre projekteve të cilat kanë qenë të lëna në harresë… Bulevardi do përfundojë deri në fund ashtu siç është e paraparë edhe me planin urbanistik edhe me projektin të cilin e realizojmë”, tha Kasami.

Ai ndër të tjera theksoi se projekti është rreth 200 mijë euro, ndërsa në bashkëpunim me banorët janë zgjidhur edhe çështjet pronësore – juridike.
Me këtë vazhdim, bulevardi “Bllagoja Toska” përmbyllet, ndërsa mbetet vetëm pjesa nga shkolla Tekstile deri te rreth rrotullimi te Mema në Bulevardin “Ilinden”.
Kasami mes tjerash përmendi edhe vazhdimin e bulevardit “Industrial” i cili gjendet disa metra më poshtë nga ku sot filluan punimet dhe i cili më pas duhet të lidhet me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë.
Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 ka përzgjedhur Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve.
Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj. Madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë, nga komuna aso kohe u tha se asfaltimi i rrugës është në plan për vitin 2023. Ndërkaq në fillim të korrikut të vitit 2023 Sektori për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës theksoi se ishte në përfundim të projektit për këtë rrugë dhe se me punë planifikohej të fillohej pas muajit korrik-gusht. Por, kjo nuk u bë.
- LEXO: Vazhdimi i “Bllagoja Toskës” te Kazerma nuk u bë në 2023, Komuna e përzgjodhi kompaninë për kryerjen e punimeve
- LEXO: 2023 po mbaron por rruga te Kazerma e Tetovës nuk është asfaltuar siç u paralajmërua (Video)
- LEXO: Deponia me mbetje ndërtimore nën stadiumin e vjetër të Tetovës do të pastrohet pas asfaltimit të rrugës, paralajmëruan nga Komuna
- LEXO: Rruga te Kazerma e Tetovës e shkatërruar, banorët: Me vite premtohet nuk realizohet, komuna: Zgjidhja pritet vitin e ardhshëm