Zjarri në spitalin modular: Mickoski mbeti duke premtuar drejtësinë e cila nuk po vjen, Kasami nuk do të komentojë ndryshe nga kryeministri
Drejtësi do të ketë. Kështu tha edhe sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski kur u pyet për drejtësinë që ua ka premtuar familjarëve të viktimave të zjarrit në spitalin modular. Megjithatë se kur do të ketë drejtësi, kryeministri nuk ka përgjigje të qartë. Ai akuzoi prokurorët dhe gjykatësit se veprojnë në baza politike. Në të njëjtën vijë me të është edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk.
“Absolutisht po, absolutisht po”, këtë frazë e përsëriti dy herë kryeministri i cili më pas u arsyetua se hetimin nuk e udhëheq qeveria, por prokuroria dhe se aktgjykimin e sjellin gjykatësit.
“Ne shumë herë e kemi thënë se ata nuk kanë as kredibilitet dhe as legjitimitet. Sepse gjykatësit dhe prokurorët në të kaluarën e dimë ku janë zgjedhur, në shtabet e LSDM-së dhe BDI-së. Dhe logjike është, çfarë vendimesh prisni të sjellin ata gjykatës dhe prokurorë. Logjike është që do sjellin vendime të tilla për vëllaun e një ministri të mëparshëm, nuk do sjellin vendim tjetër. Ata gjykatës dhe prokurorë kështu do të akuzojnë dhe gjykojnë, derisa nuk bëhet reformim të gjithë sistemit”, tha Mickoski.
Ai edhe njëherë garantoi drejtësi për tragjeditë në vend, siç tha, derisa ai është kryeministër.
“Nuk ka qytetarë të rendit të parë dhe të rendit të dytë, të gjithë jemi të barabartë para kushtetutës dhe ligjit, dhe kështu do vazhdojmë të funksionojmë. Kështu i bëj thirrje Prokurorisë që të t’i rishqyrtojë të gjitha rastet, mes të cilave edhe modularin, Llaskarcën, Besa Transin, Koçanin, secili që ka edhe fajësinë më të vogël, përfshirë edhe mua të jetë përgjegjës, pavarësisht nga cila parti është”, tha Mickoski.
I pyetur për këtë rast, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se nuk do të thotë diçka ndryshe nga ajo që tha kryeministri.
“Nuk është procedurë që varet nga pushteti. Ajo që varet nga pushteti është reformimi i sistemit, dhe që me ardhjen e kësaj qeverie ka tentim të vazhdueshëm për reformim të sistemit, duke nisur nga Këshilli i Gjyqësorit dhe Këshilli i Prokurorëve, sepse ato janë në kupolën e sistemit të drejtësisë. Pra, në këtë sistem të drejtësisë ku gjykatësit dhe prokurorët janë zgjedhur në zyra partiake ne këtë mund ta presim. Ne do të inkurajojmë çdo prokuror dhe gjykatës që edhe në këtë rast si në shumë tragjedi të tjera, duhet t’i trajtojnë njerëzisht dhe jo politikisht, dhe unë besoj se vetëm ashtu do të vijmë te fajtorët e vërtetë dhe shkaqet e zjarrit”, tha Kasami.
Ai apeloi te prokurorët dhe gjykatësit që edhe spitalin modular dhe rastet e tjera t’i trajtojnë në esencën e problemit dhe jo vetëm për t’i kamufluar.
Përgjegjësi për fajtorët e vërtetë për shkaqet e zjarrit së fundmi kërkoi edhe Iniciativa Zero.
Kujtojmë që javën e kaluar Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.
Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht.
Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë.
Në ndërkohë, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një hetim tjetër për këtë rast, i cili ende është në procedurë para hetimore.
Pse erdhi deri te rigjykimi?
Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Në rigjykim u kthye një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.
Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.
“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.
Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit
Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.
Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.
Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”
Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregoi një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.
Çfarë ndodhi?
Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.