Elita 5 me këngën “Natën e Mirë” u shpall fituese e Netëve të Klipit Shqiptar

“Elita 5”, grupi i mirënjohur nga Maqedonia e Veriut me këngën “Natën e mirë” e fitoi edicionin e 22-të të “Netët e Klipit Shqiptar”, që u realizua të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri. Ky festival është një prej ngjarjeve më të veçanta të këngës dhe videoklipit në hapësirën shqiptare, shkruan Portalb.mk.

Vokalisti i grupit “Elita 5”, Arif Ziberi ka falënderuar jurinë dhe vlerësoi publikun shqiptar pas marrjes së çmimit të madh, i përbërë nga plot 7 kupa për arritje të ndryshme teknike-profesionale.

“Natën e mirë’ ka qenë një projekt i realizuar shpejt. Ka qenë një këngë dhe mund shumë i madh për grupin tonë. Falënderoj publikun e mrekullueshëm që na përkrah për mbi 35 vite. Derisa të jenë ata do të jetë edhe grupi Elita 5”, është shprehur Ziberi.

Edicioni i këtij viti solli performanca speciale, emra të njohur të muzikës dhe një nivel të ri të prodhimit skenik, dhe kjo ishte hera e parë pas 7 vitesh që shfaqja u rikthye në Tiranë pas disa realizimeve në Ulqin.

Gjatë mbrëmjes u ekspozuan të gjithë fituesit me lokacionin përkatës, që nga viti 2002 deri në ditët e sotme.

Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe çmimet për videoklipet më të mira të vitit në disa kategori, si “Klipi më i mirë”, “Regjia më e mirë”, “Artistja/Artisti i Vitit” dhe çmime të veçanta që vlerësojnë punën kreative të artistëve shqiptarë në të gjitha trevat.