Zjarri në sallën Universale është lokalizuar, nga kupola e sallës ka mbetur vetëm konstruksioni metalik (Galeri)

Një zjarr i madh e kaploi mëngjesin e sotëm Sallën Universale në Shkup. Kupola që u vendos pikërisht dy javë më parë, sot u dogj. Nuk ka viktima apo të lënduar, transmeton Portalb.mk.  Komandanti i Brigadës së Mbrojtjes nga Zjarri i qytetit të Shkupit, Zvonko Tomeski deklaroi se ende nuk dihen arsyet e zjarrit dhe se të njëjtat do të hetohen nga ekipi policor.

Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska tha se salla Universale në momentin e rënies së zjarrit ishte bosh.

“Nuk ka viktima, nuk ka të lënduar, ndërtesa ishte bosh. Përpara se të vazhdohet me ndërtimin do të përcaktohet shkaku përkatës, do të riparohet dëmi dhe do të vijojë ndërtimi. Dua të theksoj se objekti ishte i siguruar”, tha ajo.

Kontraktuesi: Instalimi i vjetër elektrik me gjasë është arsyeja për zjarrin në Sallën Universale, kemi paralajmëruar për këtë  

Zjarri shpërtheu nga hiçi, mbase mund të jetë ndonjë kabllo nga instalimet e vjetra, thotë Llazar Arsovski, pronari i firmës për ndërtim “Univerzall-Ballkan”, e cila kryen rikonstruimin e Sallës Universale, të Shkupi e cila sot mori flakë. Në një deklaratë për shtyp ai tha se në mëngjes nuk ka pasur punime në objektin e sallës.

“Rikonstruimi siç e shihni edhe vetë po zgjat. Janë dërguar aq letra dhe kërkesa deri tek investitorët, sikur ta dinim se kjo do të ndodhte. Vetë salla është ndërtuar në vitin 1963 dhe jemi me fat që e gjithë infrastruktura e brendshme nga ulëset është zhvendosur në ambientet e jashtme, në fakt zjarri përfshiu vetëm konstruksionin e vjetër, muret dhe pllakat. Punëtorët tanë janë përpjekur nëpërmjet aparateve për fikjen e zjarrit të shuajnë të njëjtin, mirëpo ata janë kompensata të vjetra, të thata e digjen shpejtë. Për gjysmë ore zjarri u fik vetë, pasi që nuk kishte çfarë të digjej. Apel deri tek investitorët të ndërtohet sa më shpejtë. Si kompani jemi përpjekur ta realizojmë të njëjtën. Ne sallën e ruajmë tre vite me radhë, kemi hasur në probleme të vogla, shkëndija nga kabllot, por që janë riparuar.’’ deklaroi Arsovski.

Rreth orës 11, zjarri është vënë nën kontroll. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojançe Angelov.

“Zjarri në Sallën Universale është lokalizuar dhe nuk ka rrezik të përhapet. Njësia zjarrfikëse e Shkupit po punon për shuarjen e zjarrit”, tha Angelov në një deklaratë për media.

Ministresha e kulturës, Bisera Konstadinovska-Stojçevska zotohet se punimet do të vazhdojnë sapo të zbardhen arsyet e zjarrit.

“Bëj thirrje të gjithë institucioneve sa më shpejtë të marrin masa, me neve të pranishëm janë edhe mbikëqyrësit nga kontraktuesi i firmës që po realizon projektin. Apeloj për zbardhje sa më të shpejtë të rastit dhe të mos shpërndahen spekulime. Nuk kemi viktima, e as të vdekur tek objekti. Dëmi deri tani është vetëm material, për të cilën ekspertët do llogarisin vlerën e tij. Objekti është i siguruar dhe dëmi i shkaktuar do shpaguhet.’’ tha Konstadinovska-Stojçevska.

Herën e fundit, Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska në shkurt njoftoi se Qeveria po ndërmerr rindërtimin e sallës së koncerteve në qytetin e Shkupit pas një ngecjeje dyvjeçare gjatë ndërrimit të kryetarëve të Qytetit të Shkupit.

Salla universale ka 7 vite që nuk punon. Ka filluar të rinovohet në shtator të vitit 2021 në mandatin e ish-kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov me paratë e siguruara nga Qeveria. Por, pas marrjes së detyrës nga Danella Arsovska, punimet ndërtimore u ndërprenë. Danella e akuzoi kryesinë e kaluar të qytetit se është fajtore që nuk po ndërtohet salla sepse kanë bërë një projekt të pasigurt.