Pas një viti tensionesh, qeveria përfundimisht ia mori Sallën Universale Qytetit të Shkupit

Qeveria përfundimisht ia mori Sallën Universale Qytetit të Shkupit për shkak se kryetarja Danela Arsovska nuk donte të vazhdonte me rikonstruimin. Pas një viti tension mes saj dhe Qeverisë, iniciativave të këshilltarëve të LSDM-së të cilët nuk i votuan kolegët e tyre nga VMRO-DPMNE, në seancën e fundit të Këshillit me shumicë votash u votua vendimi për marrjen e sallës së koncerteve, transmeton Portalb.mk.

“Për” votuan 26 këshilltarë, përkatësisht këshilltarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, kundër ishin vetëm këshilltarët nga E majta dhe një këshilltar abstenoi.

Me këtë vendim, e drejta për rikonstruimin, zgjerimin dhe përmirësimin e sallës i kalon Ministrisë së Kulturës dhe pasi të bëhet, do të kthehet në kompetencë të Qytetit të Shkupit.

Tani Ministrisë i duhet të përfundojë fazën e parë, të cilën e ka nisur ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, gjegjësisht rikonstruksioni i pjesës së jashtme, për të cilën tashmë ka para dhe është zgjedhur kontraktori. Faza e dytë parashikon rinovimin e ambienteve të brendshme të sallës.

Salla universale ka 7 vite që nuk punon. Ka filluar të rinovohet në shtator të vitit 2021 në mandatin e ish-kryetarit Petre Shilegov me paratë e siguruara nga Qeveria. Por, pas marrjes së detyrës nga Danela Arsovska, punimet ndërtimore u ndërprenë. Denalla akuzoi kryesinë e kaluar të qytetit se është fajtore që nuk po ndërtohet salla e koncerteve sepse kanë bërë një projekt të pasigurt. Për këtë temë, Arsovska akuzoi Asociacionin e Arkitektëve të Maqedonisë (AAM), planifikuesit dhe ministren e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në konferencën për shtyp të thirrur shkurtin e kaluar nga Ministria e Kulturës në përpjekje për të gjetur zgjidhje dhe marrëveshje të përbashkët.