Zjarri ka kapur dy shtëpi në qendër të Koçanit, tre qytetarë u dërguan për shërim

Dy shtëpi janë përfshirë nga një zjarr që shpërtheu këtë pasdite në qendër të Koçanit, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Si pasojë e tymit, tre qytetarë janë dërguar për shërim, transmeton Portalb.mk.

“Zjarri ndodhi në rrugën “Vëllezërit Stavrovi”. Është një zjarr që filloi në një shtëpi individuale dhe u përhap në një shtëpi fqinje (një shtëpi me dërrasa). Shtëpitë janë të tipit kompakt dhe zgjerimi i mëtejshëm i zjarrit është i mundur. Aktualisht ka 4 ekipe zjarrfikëse. Ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Shërbimeve Mjekësore Emergjente janë në vendngjarje”, njofton Qendra.

Nga një video e postuar në rrjetet sociale, vihet re se një nga shtëpitë që digjen strehon selinë e LSDM-së.

Të infektuarit janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa zjarri u shua pas disa orëve.

Ndryshe, deri në ora 13:00 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 15 zjarre, prej të cilëve: 7 janë aktive, 4 janë nën kontroll, 4 janë të shuara.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit. Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).