Ligji për shkollat e mesme fetare në RMV, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi reagoi ndaj institucioneve

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi i ka kërkuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të mos votojë për projektligjin për institucionet e arsimit të mesëm të komuniteteve fetare, sipas tyre ligji është jokushtetues dhe ligjërisht i papajtueshëm, duke cenuar karakterin sekular të shtetit, raporton Portalb.mk.

Pavarësisht reagimit të mëparshëm të rrjetit mbi jokushtetueshmërinë e projektligjit, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport e vlerësoi atë si të pranueshëm dhe e dha për lexim të mëtejshëm.

Sipas tyre, përveç faktit se dispozitat e projektligjit janë jokushtetuese, ai përmban dispozita që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. U bëjmë thirrje deputetëve të mos votojnë për projektligjin dhe t’i kushtojnë vëmendje dispozitave kushtetuese kur votojnë dhe propozojnë ligje.

Ata theksojnë se është veçanërisht shqetësues fakti që Kuvendi i RMV-së, për herë të dytë, po propozon një ligj me përmbajtje që Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar më parë si jokushtetuese, duke rrezikuar kështu parimin e ndarjes së pushteteve,

Ndryshe, më 15 korrik në seancën qeveritare u miratua ligji pë shkollat e mesme, ligj që njeh diplomën e medresesë. Ata presin që ky propozim-ligj të miratohet edhe në Kuvendin e RMV-së.

Gjykata Kushtetuese më 30 prill hodhi poshtë Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë, Shkup, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars 2024. Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz.

Ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevskavitin e kaluar kishte deklaruar se maturantët e kësaj medrese nuk do të mund të regjistrohen në fakultetet tjera. Më 26 mars të vitit 2024, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, kishte njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria. Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.