Zjarri afër Jazhincës vihet nën kontroll dhe aktivizohet sërish, zjarrfikësit do të qëndrojnë tërë natën për ta shuar (Video)
Zjarri midis fshatrave Rogaçevë dhe Jazhincë në Komunën e Jegunovcës vazhdon të jetë aktiv që nga dje. Komandanti i Zjarrfikësve të Tetovës Avni Ahmeti për Portalb.mk tha se nga ajri gjatë natës nuk ka ndihmë, por se zjarrfikësit do të qëndrojnë gjatë gjithë natës deri në shuarjen e tërësishme të zjarrit. Trafiku në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, konkretisht nga fshati Staro Sello deri në Jazhincë, është i mbyllur në të dyja drejtimet.
“Siç dhe mund t shihet, zjarri kohë-pas kohe di edhe të rindizet. Tani e kemi një situatë pak më të ndërlikuar sepse frigohemi që mos ta kalojë këtë rrugë ku jemi tani, pasi kemi shumë afër fshatin Rogoçevë, Ne bëjmë përpjekjet tona. Kemi edhe makinderi të ndryshme me qëllim që të bëjmë parandalimin që të mos depërtojë në anën tjetër të malit Sharr. Kemi angazhuar akipe të zjarrfikësve të cilët qëndrojnë këtu gjatë 24 orëve dhe nuk do lëvizim nga këtu derisa të bëjmë shuarjen totale të këtij zjarri.Kemi ministrin e MPB-së dhe gjithë drejtoritë për Mbrojtje dhe Shpëtim, për Menaxhim me Kriza, i kemi drejtorët, të cilët bëjnë përpjekjet e veta që këtë situatë ta vëmë nën kontroll. Dihet që nga ajri në mbrëmje nuk kemi ndihmë. E vetmja ndihmë është nga zjarrfikësit, të cilët siç edhe thash do të qëndrojnë këtu”, tha për Portalb.mk Avni Ahmeti, komandanti i zjarrfikësve të Tetovës.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët se trafiku në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, konkretisht nga fshati Staro Sello deri në Jazhincë, është i mbyllur në të dyja drejtimet për shkak të zjarrit ku do të përdoren ekskavatorë për të gërmuar me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit.
MPB-ja ju bën apel qytetarëve që të mos udhëtojnë në këtë rrugë derisa të normalizohet trafiku, për të cilin do ta informojnë opinionin.
Në terren po intervenojnë ekipet e zjarrfikësve si dhe popullata lokale po mobilizohet për të dalë në ndihmë. Në terren u pa gjithashtu edhe ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov.
Më heret gjatë ditës nga QMK njoftoi se zjarri është vënën nën kontroll.
“Zjarri i madh që shpërtheu në Jazhincë është vënë nën kontroll falë koordinimit të drejtëkohshëm dhe reagimit të shpejtë të të gjitha shërbimeve kompetente”, informuan nga QMK.
Në shuarjen e zjarrit morën pjesë ekipet zjarrfikëse nga Tetova, automjetet e specializuara të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe mbështetja ajrore nga avioni “Air Tractor” dhe helikopteri i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në shuarjen e zjarrit mori pjesë edhe popullata lokale.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim, Stojançe Angellov këtë zjarr para dite e konsideroi si nga më seriozët. Angellov bëri të ditur se intervenohet me një helikopter të Policisë për shuarjen, megjithatë, siç duket qëllimi nuk është arritur ende deri në këtë orë.
“Besoj se ky zjarr sot do të vendoset nën kontroll të plotë”, tha Angellov.
Për shkak të zjarrit sot më herët u mbyll për disa orë kufiri me Kosovën në Jazhincë dhe pati kufizime në rrugën rajonale.
Në ndërkohë në vend aktiv është edhe zjarri në Komunën e Brodit, zona “Jasen” (pyll i përzier).
- LEXO: Zjarr afër kufirit me Kosovën midis Rogaçevës dhe Jazhincës, aktualisht intervenojnë tetë zjarrfikës
Vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë. Zjarret, si ato të viteve të mëparshme, edhe këtë vit e kanë karakterizuar verën në vendin tonë. Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve, si dhe aktivitetet njerëzore, në disa raste të qëllimshme, janë arsyet kryesore që malet, por edhe deponitë dhe arat po digjen.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).