U rihap vendkalimi kufitar në Jazhincë dhe rruga drejt Kosovës për qarkullim, zjarri ende aktiv

Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se është rihapur vendkalimi kufitar në Jazhincë dhe rruga drejt Kosovës për qarkullim, transmeton Portalb.mk.

Të gjitha ekipet zjarrfikëse nga Tetova dhe dy automjete të specializuara të Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim ndodhen në terren dhe po punojnë për të mbrojtur pronat e qytetarëve. 

Në rrugë drejt ndërhyrjes janë edhe avioni “Air Tractor” i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe një helikopter i MPB-së. 

Ju behët thirrje qytetarëve të shmangin zonën dhe të lirojnë rrugët për automjetet e shërbimeve të emergjencës. 

Ministria e Brendshme, në koordinim me institucionet e tjera kompetente, po merr masa për shuarjen e zjarrit. 

Paraprakisht për shkak të zjarrit kufiri në Jazhincë dhe rruga rajonale drejt Kosovës u mbyllën.

Zjarri midis fshatrave Rogaçevë dhe Jazhincë në Komunën e Jegunovcës vazhdon të jetë aktiv që nga dje.

Komandanti i Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ahmeti tha se zjarrfikësit janë në terren dhe se mundohen të shuajnë zjarrin.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim, Stojançe Angellov këtë zjarr e konsideroi si nga më seriozët. 

“Besoj se ky zjarr sot do të vendoset në kontroll të plotë”, tha Angellov. 

Vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë. Zjarret, si ato të viteve të mëparshme, edhe këtë vit e kanë karakterizuar verën në vendin tonë. Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve, si dhe aktivitetet njerëzore, në disa raste të qëllimshme, janë arsyet kryesore që malet, por edhe deponitë dhe arat po digjen.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).