Zjarr afër kufirit me Kosovën midis Rogaçevës dhe Jazhincës, aktualisht intervenojnë tetë zjarrfikës
Zjarri midis fshatrave Rogaçevë dhe Jazhincë në Komunën e Jegunovcës vazhdon të jetë aktiv. Komandanti i Zjarrfikësve të Tetovës për Portalb.mk tha se zjarri i është afruar kufirit me Kosovën ndërsa intervenojnë dy ekipe zjarrfikësish.
Momentalisht në shuarjen e këtij zjarri janë të angazhuar dy ekipe me tetë zjarrfikës nga Tetova dhe banorët e Jazhincës.
Komandanti i Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ahmeti në një prononcim për Portalb.mk tha se zjarri nga fshati Radushë poshtë ka mbërritur diku deri te kufiri me Kosovën.
“Zjarrfikësit e Tetovës janë në terren, mundohemi që zjarri mos të përfshijë pishat që janë drejt rrugës e cila çon deri te kufiri i Kosovës”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se zjarri pritet të shuhet deri nesër nëse nuk do të ketë erëra të forta.
“Në mëngjes presim ndihmë nga Qendra për Menaxhim me Kriza të cilët na kanë premtuar se do të lëshojnë dy aeroplanë të cilët do të bëjnë shuarjen e këtij zjarri”, tha Ahmeti.
Përgjatë rrugës rajonale Tetovë – Jazhincë ndihet erë e djegur.

Në ndërkohë në vend aktiv është edhe zjarri në Komunën e Brodit, zona “Jasen” (pyll i përzier)
Vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë. Zjarret, si ato të viteve të mëparshme, edhe këtë vit e kanë karakterizuar verën në vendin tonë. Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve, si dhe aktivitetet njerëzore, në disa raste të qëllimshme, janë arsyet kryesore që malet, por edhe deponitë dhe arat po digjen.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).