Zjarre të mëdha në Haraçinë dhe Ajatovc, për këtë të fundit QMK thotë se është jashtë kontrollit (Video)

Në Haraçinë dhe mbi fshatin Ajatovc ka kapluar zjarr i madh. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza, madje njoftuan se zjarri mbi fshatin Ajvatovc të Shkupit është jashtë kontrollit. Një sipërfaqe e madhe prej 30 hektarësh është prekur dhe pjesa më e madhe është pyll me gjelbërim të përhershëm, transmeton Portalb.mk.

Për shkak të erës rrezikohet që zjarri të përhapet në drejtim të fshatit Ajvatovci. Zjarrfikësit po bëjnë përpjekje për lokalizimin e zjarrit që të mos lëvizë në drejtim të fshatit – thonë nga QMK.

Nga zjarri është djegur kodra Ajvatovski. Për shuarjen e zjarrit nesër në mëngjes do të angazhohen helikopterët e policisë dhe dy “air tractor”.

Ndërkohë për zjarrin në Haraçinë nuk ka njoftim nga QMK, por vetëm nga Komuna, prej ku thonë se është përfshirë një hapsirë e madhe të teritorit të komunës në drejtim të Grushinës dhe është duke u përhapur edhe në drejtim të Haraçinës.

Zjarri mbi Haraçinë, foto Portalb.mk
Zjarri mbi Haraçinë, foto Portalb.mk

“Ju njoftojmë se me kohë kemi njoftuar ekipet e zjarrfikësve të cilët gjenden në teren dhe po bëjnë maksimumin për të lokalizuar zjarrin. Jemi në kordinim të plotë me zjarrfikësit,policinë dhe drejtorin për shpëtim, gjithashtu edhe ne si komunë jemi në teren dhe po ndjekim nga afër zhvillimet”, thonë nga Komuna.